Mendi Qyra priti sportistët e rinj të Strugës, dyfishohen fondet për sport në komunë

STRUGË – Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka pritur sot sportistët e rinj nga klubi “Triathlon and Swimming Club 3Disciplines”, të shoqëruar nga trajneri Nikola Kutanoski, në një takim ku u vlerësuan arritjet e të rinjve dhe u riafirmua mbështetja institucionale për sportin.
Gjatë takimit, fëmijët dhe të rinjtë ndanë me kryetarin sukseset e tyre, objektivat për garat e ardhshme si dhe sfidat me të cilat përballen në rrugëtimin sportiv. Qyra theksoi se Komuna e Strugës do të vazhdojë të jetë partnere e sportistëve të rinj, duke ofruar mbështetje konkrete për zhvillimin e talenteve dhe përmirësimin e kushteve për stërvitje.
Sipas kryetarit, programi komunal për sport këtë vit ka fonde të dyfishuara, duke e renditur sportin ndër prioritetet kryesore të buxhetit komunal. “Struga ka qenë dhe mbetet vatër e sportistëve të suksesshëm. Këta të rinj janë krenaria jonë dhe meritojnë përkrahje të vazhdueshme”, është shprehur Qyra.
Nga Komuna bëjnë të ditur se investimet në sport, te të rinjtë dhe në promovimin e zakoneve të shëndetshme të jetesës do të vijojnë edhe në periudhën në vijim, si pjesë e një strategjie afatgjatë për ndërtimin e një komuniteti më aktiv dhe më të shëndetshëm.




























