
PËRSHËNDETJE!
Sot jam këtu për të paraqitur një raport për aktivitetin e ndërmarrë lidhur me situatën aktuale të ujit të pijshëm në fshatin Shum dhe gjendjen e rëndë që është krijuar, sipas ekspertëve, si rezultat i dy faktorëve kryesorë:
Faktori natyror
Faktori njerëzor
Faktorët natyrorë, e sidomos tërmetet, kanë mundësi të sjellin probleme, siç kemi pasur edhe më parë dhe shpresojmë të mos i kemi në të ardhmen.
Ndërsa faktori i dytë, faktori njerëzor, sipas ekspertëve por edhe nga vëzhgimi vizual, rezulton të jetë shkaktari kryesor.
Këto ditë, së bashku me ish-drejtorin e Ujësjellësit dhe Kanalizimit, menjëherë pas paraqitjes së problemit, përkatësisht ndotjes së ujit, kemi marrë masat e nevojshme:
kemi bërë paraqitje në organet kompetente,
Inspektoratin Shëndetësor,
Inspektoratin Sanitar,
Inspektoratet e Komunës së Strugës,
Policinë dhe Prokurorinë,
kompanitë që kryenin gërmime, të cilave u kemi ndaluar aktivitetin,
kemi njoftuar qytetarët e Shumit dhe Zagraçanit,
mediat,
si dhe kemi angazhuar kompaninë private me përvojë shumëvjeçare “Geo Ing”, përfaqësuar nga z. Riki.
Gjithashtu, në mënyrë vullnetare, u paraqit edhe profesori Pelivanov për të na ndihmuar së bashku me kolegët nga Fakulteti i Ndërtimtarisë.
Unë, së bashku me profesorin, dolëm në vendin e ngjarjes dhe vizualisht u konstatua se gjendja është katastrofale.
Konstatuam se gërmimet e kryera nga dy kompani, ndër vite, janë evidente dhe shumë të mundshme të jenë shkaku kryesor i dëmit aktual. Atje ka gërmime të thella dhe dëme që me vështirësi do të mund të riparohen.
Deri tani kemi konstatuar se dëmi është bërë edhe më i madh, sepse nuk është ndërmarrë asgjë për të mbrojtur këtë aset natyror.
Organet komunale të mëparshme, kryetarët e komunës dhe institucionet përkatëse, me veprimet ose mosveprimet e tyre, kanë dëmtuar ekosistemin dhe, rrjedhimisht, edhe ujin.
Çfarë kemi konstatuar deri tani:
Lejimin e gërmimeve për më shumë se 10 vite pa kritere, vetëm për përfitime materiale.
Një anomali të rëndë institucionale, ku njëra nga kompanitë ka marrë edhe leje për gërmime në këtë zonë të ndjeshme.
Nuk është përcaktuar zona mbrojtëse prej 1 km rreth burimit, e cila është e domosdoshme dhe ndahet në tri zona mbrojtëse:
A. Zona prej 300 metrash nga burimi, ku nuk duhet lejuar asnjë gërmim dhe as lëvizje pranë tij.
B. Zona prej 600 metrash.
C. Zona deri në 1 kilometër.
Kjo zonë është dashur të jetë e rrethuar dhe e mbrojtur fizikisht.
Por, për fat të keq, drejtuesit e mëparshëm dhe institucionet përgjegjëse nuk kanë treguar interesin e duhur për mbrojtjen e këtij burimi jetik, së bashku me drejtorët e ndërmarrjeve publike dhe organet përkatëse.
Tani dëmi është bërë dhe duhet urgjentisht të merren masa për riparimin e situatës, pa lënë anash përgjegjësinë penale të fajtorëve, sepse kemi të bëjmë me një çështje jetike për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Ata që pyesin kush është fajtor, përgjigjen e kanë vetë: janë ata që kanë dhënë leje për të dëmtuar këtë ekosistem.
Unë kërkoj që dëmtuesit të mbajnë përgjegjësi penale dhe që raste të tilla të mos përsëriten kurrë më në të ardhmen.
Faktet janë aty. Dëmi është shkaktuar ndër vite, ndërsa neve na mbetet ta riparojmë këtë situatë, për fat të keq.





























