Menduh Thaçi:Mund të humbet Struga,Kërçovë,Dibër

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) mbrëmë mbajti tubim në Shkollën fillore “8 Marsi” në fshatin Çellopek, ku folën kryetari i partisë Menduh Thaçi dhe bartësi i listës për këshilltarë në Komunën Bërvenicë Arben Rufati.
Kryetari i PSDH-së Thaçi theksoi se në këtë tubim vijnë pas takimeve të mbajtura me banorët e komunave Studeniçan dhe Dollnen dhe se në këto dy vetëqeverisje lokale së bashku me Bërvenicën ka rrezik që shqiptarët t’i humbin vendet në zgjedhjet vijuese lokale.
“Duhet të mobilizohemi që ta mbështesim listën tonë të këshilltarëve në këtë komunë. Politika e udhëhequr pas vitit 2001 dhe udhëheqja katastrofike nga ana e BDI-së na solli në gjendje të këtillë që të ekzistojë rrezik të humbim në këto komuna si dhe në Strugë, Kërçovë, Dibër, Bërvenicë dhe në disa komuna. Duhet të angazhohemi të gjithë shqiptarët që të pengohet kjo, ndërsa unë nuk kam dilemë se do ta mbështetni listën tonë në komunën Bërvenicë që të pengohen këto pasoja të këqija”, tha Thaçi.
Bartësi i listës së këshilltarëve për Komunën Bërvenicë Arben Rufati para të pranishmëve prezantoi një pjesë të programit zgjedhor.
“Dëshiroj t’i përfundoj të gjithë projektet e filluara nga autoritetet paraprake lokale siç është sendërtimi i shkollës në Gurgurnicë dhe vendosje të ngrohjes qendrore, përfundimi i kanalizimit në Çellopek të Poshtëm, asfaltimi i më shumë rrugëve nëpër të gjithë vendbanimet, si dhe rrugën lokale midis Miletinos dhe Tenovës, avancimi i sportit dhe kulturës përmes mbështetjes së klubit të futbolli Besa nga Çellopeku dhe disa shoqata kulturore-artistike në komunë”, theksoi Rufati.
Në këto zgjedhje lokale PDSH-ja në Komunën e Bërvenicës merr pjesë vetëm me listë të këshilltarëve, ndërsa do ta mbështetin kandidaturën e pavarur të kryetarit të deritanishëm të komunës Enver Pajaziti. Edhe nga BDI-ja paralajmëruan se për Komunën e Bërvenicës do ta mbështetin kandidaturën e Pajazitit.