Aktuale

Meqë ra fjala, Gëzuar Viti i Ri!

Nga Valdrin Nuredini

Sot është dita e fundit e vitit 2017, dita kur ndalemi të kujtojmë se çka e karakterizoi këtë 12 mujor, se çka ne ndryshuam dhe se çka ndryshoi përreth nesh. Mbaroi një vit i tërë dhe koha është po e njëjta. Ajo është shumë e ashpër për ata që nuk ecin me të.

Në vitin 2017 shumë pak gjëra ndryshuan rreth nesh, për mos të thënë fare. Ne jetojmë ende në një shtet të lirë por të padrejtë, në një shoqëri të re por të pazhvilluar. Kemi resurse dhe pasuri por jetojmë në varfëri e pasiguri.

Ne jetojmë në një vend, ku shumë njerëz luftojnë për bukën e gojës, duke e kaluar ditën në kontonjerë ose duke u endur në lokalet e ndryshme duke kërkuar vetëm pak bukë që të kalojnë ditën kurse shumë të tjërë bukën e përbuzin duke e hedhur në shporta bërllogu.

Ne jetojmë në një vend i cili është shumë i lirë për hajnat dhe korruptuesit ndërsa shumë i shtrenjtë për të varfërit. Në jetojmë në një vend, ku rinia si forca më e rëndësishmë e shoqërisë, çdo ditë e më shumë degjenerohet duke kaluar kohën në vendet ku mësohet alkooli, droga apo edhe vetitë e tjera negative.

Vendi ku po jetojmë ne është shumë i padrejtë për një pjesë të madhe të popullatës. Në Kosovë kemi njerëz që mbajnë pesë ose gjashtë vende të punës në të njëjtën kohë ndërsa afër 70% e popullit është e papunë. Papunësia detyrimisht i shtyen këta njerëz të bëhen agresorë dhe të tentojnë që paratë t’i sigurojnë në çfardo forme. Edhe përmes vjedhjes.

Jetojmë në një vend, ku paraja është gjithëçka. Aty ku paraja është gjithëçka, morali është sinonim i fjalës mjet tregtar.

Po jetojmë në një vend ku të rinjët e shohin bibliotekën si gjënë e fundit të pjesës së ditës për nga rëndësia. Për shumë të rinjë më tërheqës është fakti që qëndrojnë në bastore dhe kazino.

Ne jetojmë në një vend, ku shëndetësia është e sëmurë. Aty ku nuk mund të hysh në operacion në spitalet shtetërore nëse nuk bëhesh pjesë e trekëndëshit korruptiv, duke i’a mbushur xhepat doktorëve.

Kosova si njëri ndër shtetet më të reja dhe që është në zhvillim e sipër, duhej që ta kishte ekonominë primare. Por në Kosovë ekonomia është e ngulfatur për shkak të atyre që asnjëherë nuk i kanë dhënë prioritet zhvillimit të vendit dhe prodhimi i vetëm i yni është hajnia dhe varfëria.

Ne ende jetojmë në një vend ku në shkollë shkohet për të kaluar kohën. Rezultatet e asaj se çka prodhojnë shkollat në Kosovë, u panë në raportin e PISA-s. Në shumë shkolla të Kosovës, thithet bari e jo dija!

Ne ende jetojmë në një vend ku shumë magjistrojnë e doktorojnë por shumë pak mësojnë. Kosova është vendi ku analfabetët e kanë nderin të pajisen me diploma sepse janë të vegjël për të kuptuar madhështinë dhe rëndësinë e diplomës.

Ne jetojmë në një vend, ku të sëmurët mental i gjëjmë në ambientet me njerëz normal sepse kjo është bërë mëse normale.

Kosova është prej vendeve të pakta në botë, ku shkelësit më të mëdhenj të ligjit janë vet ata që i votojnë dhe i krijojnë ligjet.

Jetojmë në një vend, ku fëmijët e politikanëve shkojnë me vetura në shkolla ndërsa kemi fëmijë që nuk kanë këpucë për të shkuar në shkollë.

Ne jetojmë në një vend, ku është bërë e pamundur të pijsh kafe pa parë fëmijë që bredhin rrugëve, duke shitur cigare apo dukë i’a zgjatur dorën njerëzve që kalojnë andej.

Po, ne jetojmë në një vend ku çdo ditë injorohen këto probleme. Injrohohen sepse tash duken normale dhe askush nuk bënë hapa të vegjël për një të ardhme të madhe.

Ne nuk duhet të jetojmë, sa për të jetuar por duhet të jetojmë për të ndryshuar. Ndryshimi jemi vet ne dhe meqë ra fjala:

GËZUAR VITI I RI!

/Bota Sot

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button