Aktuale

Mesazh i fortë nga Qyra në Paris: Liqeni i Ohrit dhe Struga nuk janë për pazare

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, së bashku me delegacionin qeveritar, ka përcjellë sot në selinë e UNESCO-s në Paris mesazhin se Struga është e gatshme dhe e vendosur të mbrojë e të ruajë trashëgiminë që i përket gjithë qytetërimit njerëzor.
Rajoni i Ohrit, si trashëgimi kulturore dhe natyrore botërore, përfaqëson një vlerë universale të jashtëzakonshme, ndërsa Struga është pjesë e pandashme e kësaj pasurie – qytet i traditës, kulturës dhe jetës pranë liqenit.
Në takimin me Kondker Mohamad Talha, kryetar i sesionit të 43-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s, janë theksuar angazhimet institucionale për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit dhe bregdetit të Strugës, me fokus në zhvillim të qëndrueshëm, ruajtjen e vlerave autentike dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të mbrojtjes së trashëgimisë.
Kryetari i Komunës ka deklaruar se Struga nuk do të lejojë kompromis me të ardhmen e qytetit dhe të Liqenit të Ohrit, duke nënvizuar se çdo vendim do të merret në interes të qytetarëve dhe të brezave që vijnë.
Struga sot flet nga Parisi, por mesazhi institucional është i qartë: mbrojtja e trashëgimisë fillon në terren – me përgjegjësi, transparencë dhe vizion afatgjatë.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button