“Mësimdhënia nuk është një art i humbur, por respektimi i saj është një traditë që po humbet.”
Zhvillimi i vrullshëm i shoqërisë së sotme si dhe rritja me ritme marramendëse e informacionit, e ndihmuar nga mjete të shumëllojshme të transmetimit, kanë bërë që mësimdhënia të ndryshojë nga ajo e dekadave të mëparshme. Më parë mësuesi ishte burim informacioni, masë për gjithçka, ndërsa sot ai është një udhëheqës dhe organizues i mësimit që e orienton nxënësin për të kërkuar në mënyrë të pavarur informacionin dhe me ndihmën e tij të zgjidhë çdo problem sado i ndërlikuar që të jetë ai.
Mjafton të përpiqemi të bëjmë një krahasim sipërfaqësor mes mësuesit të djeshëm dhe atij të sotëm, dhe menjëherë do të gjejmë mjaft analogji, por edhe shumë divergjenca, e aq më të dukshme bëhen këta kur shikon nga pozicioni i pedagogut.
Kujtoj…
Sjellja e nxënësve asokohe ishte për ta pasur lakmi. Shumë rrallëherë ndodhte që nxënësi të bënte zhurmë dhe të prishte procesin mësimor, apo ta kundërshtonte mësuesin. Nxënësit vinin në shkollë me veshje të njëjtë, pra me uniformë dhe të disiplinuar, ndërsa sot, me keqardhje e them se objektet shkollore janë bërë arena gladiatorësh. Nuk mund të thuhet se nuk ka pasur nxënës të padisiplinuar, por për ta kishte masa disiplinore, funksiononte kolektivi, kishte mbledhje prindërore ku edhe pse 70 – 80% e prindërve ishin të paarsimuar, ata përsëri i kishe prezent te shkolla me dëshirën e zjarrtë që fëmijët e tyre të arsimoheshin.
Duhet ta dimë se në atë kohë kishte nxënës që udhëtonin me këmbë nga 1 deri më 5 km. Kishte mësues që udhëtonin edhe më larg se aq, por kjo s’do të thoshte që mësuesit të mos u përgjigjeshin kërkesave të nxënësve. Sakrifica nga të dyja krahët. Pikësynimi parësor nuk ishte përfitimi, por dija. Kishte heroizëm dhe idealizëm ajo kohë, paçka se regjimi ishte ana e errët e kohës. Pengesa të cilat do të donin një shkrim më vete për t’i trajtuar.
E ajo ishte një periudhë gjatë së cilës shkollat shqipe u bënë poligon për prova ndërsa figura e mësimdhënësit “tabelë për qitje”.
Mirëpo, edhe pse regjimi u përpoq që ta thyejë atë brez të intelektualëve, ai vetëm sa e dëmtoi, por kurrë nuk mundi t’i thyejë ata.
Ishin mësues me sedër, me kulturë, plot dinjitet, të dashuruar me mësimdhënien, të dashuruar me lëndën, që nuk u lodhën e nuk u ankuan kurrë për gjendjen e tyre.
Organizoheshin gara diturie, aktivitete kulturore, artistike, por edhe sportive.
Kujtoj me respekt një pjesë të mirë të mësuesve të mi, po ashtu kujtoj edhe mësues që të kërkonin përmendësh pjesë nga libri, që të mbanin nën tension me rregulla të forta, që punonin dhe shpjegonin pa ndonjë bazë materiale kushedi çfarë, që të vinin një 5 (pesë) sot e një 1(njësh) nesër, nëse ti vije pa përgatitur, që të ngrinin në mësim po të të shikonin në shëtitje pasdite, që të bënin testime të pa programuara, gjëra këto që nxënësit e brezit tim i kuptojnë shumë mirë, ndërsa për brezat e rinj këto mund të jenë të panjohura, ose edhe të papranueshme.
Megjithatë, ne kishim një respekt të jashtëzakonshëm për ta. Në shtëpi kurrë prindërit e mi nuk fajësonin mësuesin për fatkeqësitë e mia apo për nota të ulëta, por ruanin para meje me fanatizëm modelin dhe figurën e mësuesit edhe nëse ai nuk ishte në të drejtë. Kisha një druajtje dhe i shihja si njerëzit më të ditur, se faktikisht ashtu ishin në atë fazë të jetës sime.
Dikur shkolla organizonte tribuna e debate për plagën më të rëndë të kohës që ishte kurbeti, flitej gjerë e gjatë për pasojat që linte migrimi për shoqërinë tonë, këndoheshin këngë kundër kurbetit. Ndërsa sot për fat të keq po na zbrazen shkollat dhe kush një fjalë nuk e thotë, ose edhe nëse e thotë kuluareve të kafeneve apo disa portaleve që më shumë kanë karakter komercial.
Kjo që po ndodh tash, më tepër duket si një problem kolektiv. Me keqardhje mund të them se në disa familje shqiptare shahet, përbuzet, ofendohet figura e mësuesit , madje në disa situata shkohet edhe më larg, sa që ka shumë raste kur ai sulmohet edhe fizikisht përpara nxënësve apo kolegëve të tij. Kjo ndodh edhe si rezultat i mosseriozitetit të vetë arsimtarëve, apo prindërve që nuk e dinë se çfarë peshe ka arsimimi i fëmijës për kohën. Këtë e mbështes në faktin që dikur shumica e arsimtarëve kur vinin në shkollë dalloheshin nga nxënësit si për nga veshja e tyre ,edhe nga sjellja e tyre në raport me nxënësin, dhe funksiononte trekëndëshi didaktik nxënës-prind-arsimtar, i cili llogaritet si hallka më e fortë për të arritur te rezultati, ndërsa sot mund të them se vështirë funksionon kjo hallkë apo ndoshta është këputur fare.
Roli i prindit në shkollë është i një rëndësie të veçantë. Çdo prind dëshiron që fëmija i tij të bëhet i zoti për çdo gjë dhe të jetë më i miri i klasës. Por fëmijët kanë nevojë t’i kalojnë fazat e jetës duke mësuar vazhdimisht.
Nëse prindërit e ndihmojnë fëmijën të ndërtojë para vetes modele të mira të mësuesve të ndryshëm, duke ia bërë të qartë që secili prej tyre i ofron ndihmën në diçka të mirë për të ecur në jetë, kështu edhe mësuesit do ta kenë më të lehtë për ta dhënë maksimumin nga vetja.
Nëse prindërit u flasin fëmijëve për nota dhe mesatare pa meritë, shkolla e ka humbur qëllimin e saj të vërtetë.
Dekadave të fundit shumë është përfolur për reforma në arsim, mirëpo vështirësi paraqet implementimi i tyre. Duhet kthyer koka pas, të shihet dhe analizohet pse ne jemi të radhitur në vendet e fundit për lexim dhe matematikë nga 80 shtete në testimin e kryer nga PISA (Program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve).
Sipas ekspertëve dhe anketave të bëra me qytetarët shkak për këtë gjendje janë:
Partizimi i tejskajshëm i shkollave; inkuadrimi i kuadrove joadekuat duke mos respektuar NORMATIVIN për punësime, programi jo i mirë arsimor; stërngarkimi i nxënësve me lëndë mësimore; orari i tejzgjatur mësimor e kështu me radhë.
Mësuesit nuk janë ”GOOGLE”. Ata nuk dinë gjithçka, por besoj se ata dinë se çfarë u duhet në këtë moment të jetës nxënësve të tyre.
Ata duhet t’i ndihmojnë nxënësit që të mbushin bazën e piramidës së dijes, për t’u ngjitur në pjesët më të larta të saj.
Ndoshta mësimdhënësit nuk dinë t’u ndihmojnë nxënësve se si të bëjnë shumë para për nesër, por ata u ndihmojnë dhe i ballafaqojnë me të vërtetën dhe realitetin.
Fëmijëve u duhen çelësa që të hapin dyer të mbyllura, që mos i shqyejnë ato.
Mevlur Lloga : Pedagog