Aktuale

Mickoski nga Ohri: Autostrada, përfundon më së voni në fillim të vitit 2027


Autostrada Kërçovë–Ohër pritet të përfundojë dhe të vihet në funksion të plotë më së voni në tremujorin e parë të vitit 2027, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski gjatë fillimit të punimeve për ndërtimin e garazhit të ri shumëkatësh në Ohër.
Ai theksoi se projekti po vazhdon me dinamikë të pandërprerë, pavarësisht sfidave financiare, duke sqaruar se anulimi i kredisë nga banka kineze “Eksim” është zëvendësuar me një marrëveshje të re përmes bankave komerciale vendore.
“Presim që autostrada të përfundojë tërësisht nga Kërçova deri në Ohër, më së voni në fillim të vitit 2027”, u shpreh Mickoski.
Kryeministri njoftoi gjithashtu fokus më të madh në projektin “Plaoshnik”, për të cilin tha se në të kaluarën nuk ka qenë prioritet i qeverive, ndërsa për këtë vit janë ndarë mjete për dokumentacion projektues dhe vitin e ardhshëm pritet intensifikim i punimeve në terren.
Mickoski falënderoi pushtetin lokal, deputetët dhe Ministrinë e Transportit për bashkëpunimin në projektet infrastrukturore në rajonin e Ohrit, duke theksuar se me investimet aktuale qyteti po i afrohet profilit të një qendre të madhe turistike.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button