Aktuale

Mickoski nga Struga: Qeveria po ruan stabilitetin edhe në krizën më të madhe historike



Strugë – Kryeministri i Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi sot nga Struga se Qeveria po arrin të ruajë stabilitetin e vendit edhe në kushtet e një krize historike, duke theksuar se menaxhimi i sfidave energjetike po bëhet me sukses.
Ai nënvizoi se situata me karburantet po monitorohet në baza ditore dhe se politikat e ndërmarra nga Qeveria kanë parandaluar goditjet e forta të çmimeve për qytetarët.
Sipas Mickoskit, sistemi energjetik është i qëndrueshëm, me rezerva të mjaftueshme dhe furnizim të pandërprerë, duke shtuar se nuk ka nevojë për masa kufizuese.
“Energjia dhe furnizimi janë të garantuara. Stabiliteti që kemi sot është rezultat i masave aktive dhe subvencioneve direkte që shteti i zbaton çdo ditë”, theksoi ai.
Duke folur për çmimet e naftës, kryeministri bëri të ditur se në tregjet botërore është shënuar rënie e çmimeve me rreth 20 dollarë për fuçi, duke u stabilizuar aktualisht mes 95 dhe 97 dollarë. Megjithatë, ai rikujtoi se këto nivele mbeten më të larta krahasuar me periudhën para krizës, kur çmimet varionin mes 60 dhe 70 dollarë për fuçi.
Në këtë drejtim, ai theksoi se Qeveria vazhdon të subvencionojë qytetarët përmes uljes së TVSH-së nga 18 në 10 për qind, si dhe përmes uljes së akcizave – 4 denarë për litër për naftën dhe 2 denarë për litër për benzinën pa plumb.
Sipas tij, këto masa janë kyçe për mbrojtjen e standardit jetësor dhe për zbutjen e ndikimit të krizës globale në ekonominë vendore.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button