Migrimi zvogëlon ekonominë, për çdo vit humbim nga 800 milionë euro!

Analizat e Bankës Botërore tregojnë se Maqedonia rrezikon të humbë bile 800 milionë euro në vit apo 9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vlefshëm afër 9 miliardë euro, si rrjedhojë e migrimit të madh deri në vitin 2030. Këtë e tregon raporti i Bankës Botërore, kushtuar efekteve të shpërnguljes ndaj ekonomisë, i cili merr parasysh humbjen e potencialit për zhvillim ekonomik si rrjedhojë e migrimit të më shumë se 600 mijë banorëve, shkruan gazeta KOHA.

Shpërngulja masovike e popullatës nga rajoni i Evropës juglindore në Evropën perëndimore nga njëra anë ndihmon rritjen ekonomike të shteteve perëndimore, ndërsa nga ana tjetër pengon përmirësimin e mirëqenies në shtetet e rajonit. Të dhënat të përafërta të Bankës Botërore tregojnë se nga shtetet e Evropës lindore, qendrore dhe juglindore, janë shpërngulur mbi 20 milionë njerëz. Nga ana tjetër, të dhënat po nga ky burim, tregojnë se jashtë Maqedonisë jetojnë afër një e treta e banorëve të saj. Sipas raportit të Bankës Botërore lidhur me efektet e shpërnguljes ndaj ekonomisë, del se efektet pozitive për shtetet më të zhvilluara ekonomike janë më së evidente, ndërsa vendet më pak të zhvilluara humbin potencialin e madh për rritje më të madhe ekonomike.

“Si rrjedhojë e migrimit përgjatë periudhës 2015-2030 , shtetet e Evropës lindore dhe juglindore do të humbin nëntë për qind të Prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa te disa shtete kjo humbje do të jetë bile 15 për qind e PBB-së. Nga ana tjetër, është dëshmuar se migrantët sjellin rritje ekonomike në shtetet ku shkojnë të punojnë, duke rritur PBB-në për kokë banori si dhe produktivitetin në përgjithësi“, thuhet në analizat e Bankës Botërore dhe ato të OECD-së, apo Organizatës për bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar për 18 shtetet anëtare të saja.

Në ndërkohë, analizat Bankës Botërore, si një institucion relevant financiar si dhe me peshë ndërkombëtare tregojnë se rritja e ulët ekonomike, papunësia e lartë, të ardhurat në nivelin e një të tretës së BE-së, imponojnë që të gjeneratat e reja në rajon, të emigrojnë në kërkim të mundësive më të mira ekonomike. Edhe pse demografët përllogarisin se shkaqet kryesore të migrimeve të jashtme janë ato ekonomike, arsimore, përsosja profesionale, krizat politike dhe ushtarake, përleshjet fetare e kështu me radhë, megjithatë në Maqedoni dhe shtetet e rajonit në vitet e fundit në radhë të parë si shkak i ikjes së të rinjve të shkolluar, është pakënaqësia nga situata ekonomike, problemi me punësimin si dhe mungesa e perspektivës. Gjithashtu, edhe mungesa e një ambienti me rregulla të qarta të lojës në më shumë fusha të jetesës në Maqedoni, por edhe shtetet fqinje rrisin dëshirën e të rinjve që të marrin biletën në një drejtim. Nga ana tjetër, përkundër asaj se migrantët dërgojnë remitanca që nxisin më shumë konsumin dhe më pak investimet, megjithatë mungesa e njerëzve të rinj dhe arsimuar në vendlindje zvogëlon aktivitetin e sektorit privat, sjell më pak tatime në arkën e shtetit, e ul konkurrencën e ekonomisë vendore, si dhe rriten harxhimet sociale përfshi, edhe ato për pensione pasi ulet numri i kontribuuesve të mundshëm në fondet pensionale dhe shëndetësore të shtetit.StrugaLajmStrugaLajm

Gjithashtu, pjesa më e madhe e të rinjve që emigrojnë jashtë janë me arsim të lartë, ndërsa shpërngulja e tyre ashpërson trendet negative demografike jo vetëm në Maqedoni, por edhe të gjitha shtetet e rajonit për shkak se largohet popullata në moshë të reproduktive. Me fjalë të tjera, në vend që të rritet nataliteti në vendlindje, mërgimi i madh përmirëson trendet negative demografike në shtetet perëndimore që ballafaqohen me natalitet të ulët të popullatës.StrugaLajm

Sipas ekspertit të demografisë, Donço Gerasimovski, edhe tek ne ngjashëm me shtetet e tjera kryesisht shpërngulen të rinjtë të moshës deri 35 vjet, që kanë arsimim të mirë dhe kanë mundësi të gjejnë punë mirë të paguar në Evropë. Me fjalë të tjera, standardi më i mirë, puna e sigurt e paguar mirë, rrethanat e mira për jetesë dhe mundësitë për të ecur para i tërheqin të gjithë të rinjtë nga shtete të ndryshme që të migrojnë në perëndim.
“Edhe Maqedonia renditet ndër shtetet humbëse në këtë proces që nuk arrijnë ta mbajnë fuqinë e saj më cilësore punëtore. Në të ardhmen, kjo patjetër se do të ndërlidhet me të ardhurat si dhe rritjen ekonomike të këtyre shteteve. Edhe e ashtuquajtura “murtaja e bardhë”, siç thirret ky kolaps ekonomik-demografik i shteteve në të ardhmen nuk do të ndalet”, thotë për KOHA Gerasimovski.

Sipas tij, nëse shteti nuk krijon politika serioze që popullata të qëndrojë në vendlindje, atëherë vala e madhe e shpërnguljeve do të vazhdojë, bile me temp edhe më madhe.

Ekonomistët propozojnë shfrytëzim më të mirë të fuqisë ekzistuese në vend përmes rritje së produktivitetit të saj, stimulimit që një pjesë e remitancave në vend në konsum të shkojë për investime, përforcimin e institucioneve dhe politikave ekonomike që do të krijojnë ambient që njerëzit të mos ikin jashtë, por të shikojnë perspektivën e jetesës dhe karrierës në vendlindje, që do të nxisin kthimin e mërgimtarëve dhe njëherazi do të sjellin në shtet edhe fuqi punëtore me kualifikime të larta. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe harmonizimit të fuqisë punëtore që del nga bankat shkollore me nevojat e tregut të punës, rritjes së punësimit të personave deri 35 vjeç, sidomos të kuadrit mjekësor dhe atij të inxhinierëve të profileve të ndryshme si dhe mbështetjes më të madhe të punësimit të kuadrove të talentuar. Ndryshe, edhe Gjermania, si lokomotiva ekonomike e Evropës, ballafaqohet me mungesën e fuqisë punëtore. Në këtë shtet deri në vitin 2030 pritet të ulet për gjashtë milionë numri i personave të aftë për punë. Andaj autoritetet në Berlin po përgatiten për skenar të ndryshme që të ballafaqohen me trendet në rënie demografike, duke hapur dyert për fuqinë punëtore të nevojshme , jo vetëm nga Ballkani, por edhe nga shtete të tjera.

In : Aktuale

Loading...
loading...