Ministri Fatmir Limani viziton Qendrën për Punë Sociale në Strugë: Premton rritje pagash, punësime të reja dhe siguri më të madhe për punonjësit
STRUGË – Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, zhvilloi sot një takim konstruktiv me të punësuarit në Qendrën për Punë Sociale në Strugë, ku diskutoi për sfidat dhe nevojat e tyre në kryerjen e detyrave të përditshme.
Gjatë vizitës, ministri theksoi rëndësinë e përmirësimit të kushteve të punës në qendrat për punë sociale, duke theksuar se ofrimi i shërbimeve më cilësore për qytetarët varet nga mbështetja që u ofrohet punonjësve të kësaj fushe.
“Diskutuam për sfidat me të cilat përballen të punësuarit, për nevojat e tyre dhe për mundësitë që të sigurohet një kryerje më efikase e detyrave të punës,” tha Limani.
Një nga pikat kyçe të takimit ishte rritja e pagave në sektorin e mbrojtjes sociale. Ministri bëri të ditur se është planifikuar forcimi i kapaciteteve njerëzore me punësime të reja në qendrën e Strugës.
“Me kënaqësi informova se do të forcojmë ekipin me punësime të reja,” theksoi ai.
Në fokus të veçantë ishte edhe siguria e punonjësve. Ministri njoftoi se procedurat për sigurimin fizik të të gjitha qendrave dhe institucioneve publike për mbrojtje sociale në nivel shtetëror janë në fazën përfundimtare.
“Siguria dhe mbrojtja e të punësuarve është me rëndësi kyçe. Kjo do të mundësojë një ambient pune më të sigurt dhe më të qetë për të gjithë,” shtoi ai.
Në fund, ministri Limani theksoi rolin thelbësor të punonjësve socialë në sistemin e mbrojtjes sociale, duke i cilësuar ata si “shtylla e këtij sistemi që ofrojnë shërbime jetike për qytetarët që kanë më së shumti nevojë”.
Vizita e ministrit u mirëprit nga stafi i Qendrës për Punë Sociale në Strugë, të cilët shprehën pritshmëri për përmbushjen e premtimeve të bëra në këtë takim.(Strugalajm.com)