MJEKËT APELOJNË: Festoni pa alkool dhe fishekzjarrë
Krahas kësaj, natën e vitit të ri, shpesh herë ka edhe aksidente të trafikut dhe mjekët janë të detyruar që të dalin në teren për të dhënë ndihmën e parë. Në këtë drejtim apelohet që qytetarët të jenë më të kujdesshëm gjatë natës së ndërrimit të motmoteve
Urim HASIPI
Tetovë, 24 dhjetor – Jo rrallë herë festa e vitit të ri përfundon me pasoja të rënda nga përdoruesit e alkoolit dhe të mjeteve piroteknike. Me këtë rast, ata që janë në ballë të këtyre problemeve janë mjekët. Ndonëse për dallim nga vitet e mëhershme, dukshëm ka rënë numri i personave që kërkojnë ndihmë natën e ndërrimit të motmoteve, por ka raste kur drejtohen pacientë me lëndime të ndryshme, kryesisht me djegie nga mjetet piroteknike. Nuk mungojnë lëndimet edhe në pjesë të ndjeshme të trupit siç është syri.
Mjeku në repartin e Ndihmës së Shpejtë në Tetovë Besnik Mustafai, thekson se vitin e kaluar një 12 vjeçar kishte marrë lëndime në sy dhe pasojat kanë qenë të mëdha.
“Kryesisht natën e vitit të ri, gjatë festave, ka rritje të dukshme të numrit të intervenimeve që bëhen në teren. Lëndimet më të shpeshta janë si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, ku dominon mosha e re nën 18 vjeçare. Lëndimet më të shpeshta janë djegiet me mjete piroteknike, fraktura, thyerje të eshtrave gjatë lëndimeve. Vitin e kaluar kemi pasur një rast specifik ku një fëmijë i moshës 12 vjeçare ka marrë lëndime në syrin e majtë dhe ka pasur një kohë të gjatë pasoja nga ai lëndim”, thekson mjeku në ndihmën e shpejtë në Tetovë Besnik Mustafai.
Në këtë drejtim apelohet që qytetarët të jenë më të kujdesshëm gjatë natës së ndërrimit të motomoteve. Shumë herë mjekët duhet që të intervenojnë edhe në terren për të dhënë ndihmën e parë për personat që kanë konsumuar alkool.“Le të festojnë në mënyrë më të qetë, më pak të përdorin mjete piroteknike, ndërsa në ato raste kur do të përdoren, të përdoren nga njerëz kompetent apo nga njerëz më të kujdesshëm dhe jo nga fëmijët të cilët shumë shpejt mund të rrezikojnë të lëndohen. Nuk mungojnë rastet e dehjeve me alkool nëpër lokale të natës. Këta pacientë pas përfundimit të festës dhe ashtu të dehur dalin në rrugë dhe nuk kanë orientim as për vendin as për kohën dhe prandaj detyrohemi që të intervenojnë edhe në rrugë duke I marrë këta pacientë”, thotë mjeku Besnik Mustafai.
Krahas kësaj, natën e vitit të ri, shpesh herë ka edhe aksidente të trafikut dhe mjekët janë të detyruar që të dalin në teren për të dhënë ndihmën e parë. Por, në këtë drejtim nuk mungojnë as thirrjet e rrejshme në telefonin 194 që është për ndihmën e shpejtë, kurse kjo shkakton probleme shtesë për personelin mjekësor. ”Kemi raste kur keqpërdoret ekipi i ndihmës së shpejtë, prandaj në vend se të intervenojmë atje ku duhet dhe ka nevojë ekipi del në teren të panevojshëm”, nënvizon mjeku Mustafai.