Mjeku strugan Jetmir Ziba me apel:Edhe kësaj hataje po i vjen fundi, bëni durim edhe pakë, respektoni masat anti-Covid

Gjatë gjithë kohës së pandemisë dhe sidomos ditëve të fundit, të gjithë ne, jemi shqetësuar pa masë për shifrat alarmante të të infektuarve dhe vdekshmërisë së lartë të shkaktuar nga sëmundja COVID 19. Megjithatë përpos këtij fakti shqetësues, te të gjithë ju dhe SIDOMOS te personeli mjekësor, si asnjiherë më parë ka filluar të mbizotërojë një optimizëm i paparë, një besim i krijuar se dalngadalë edhe kësaj hataje po i vjen fundi. Të gjithë jemi të bindur për këtë.
Ky optimizëm vjen si rezultat i karakterit të fortë, punës së palodhshme të të gjithë mjekëve, infermiereve dhe punonjësve të tjerë shëndetësor që çdo ditë janë në shërbim 24 orë të të sëmurëve. Mirëpo kjo shpresë bazohet edhe në disa të dhëna shkencore.
1.mekanizmi i veprimit të virusit, mënyra se si ai shkakton sëmundjen bëhet çdo ditë dhe më i qartë. Në fillim kishte shumë të panjohura, pyetje pa përgjigje të cilat zbërthehen çdo ditë e më tepër. Kjo u ndihmon mjekëve që më herët ti detektojnë gjendjet që janë kërcënuese për jetën dhe ti trajtojnë ato në kohën e duhur.
2.shkencëtarët bëjnë të pamundurën për të gjetur nji medikament që do të “ vrasë “ virusin që në fazat e hershme të infeksionit ose do të zvogëlojë fuqinë e tij për të shkaktuar sëmundje serioze. Kjo nuk është fare e lehtë por rezultatet e deritanishme janë shumë premtuese. Akoma janë në fazë studimi disa ilaçe antivirale të cilët deri tani kanë dhënë rezultate të shkëlqyeshme, por që nevojitet akoma kohë për ti aplikuar në popullatë.
3.dhe ajo që së fundmi është shumë aktuale, janë vaksinat. Dy nga ato, vaksina e kompanisë farmaceutike “ Moderna “ dhe “ Pfizer “ kanë dhënë referenca shumë të mira, duke deklaruar një efikasitet gati 95% dhe me shumë pak efekte të padëshirueshme. Vaksinat janë shtylla e tretë, në pretendimin se po ballafaqohemi me betejën e fundit me këtë armik i cili na ndryshoi jetën. Sinqerisht dua që para vaksinimit të gjindet medikamenti i shumëpritur ( për atë që fola në pikën 2 ) dhe ta anulojë edhe për pak kohë vaksinimin për prova dhe studime plotësuese të vaksinave, për të qënë sa më të sigurtë gjatë aplikimit të tyre.
Mesazhi që dua të përcjell përmes ketij statusi është se muajt në vijim janë vendimtarë, është koha për betejën e fundit të ashpër me armikun e padukshëm.
Miq të dashur, keni durim, por në të njëjtën kohë TË GJITHË BASHKË DUHET TË JEMI SHUMË TË KUJDESSHËM. Nuk duhet të lejoni të jeni viktimë tani, tani kur fundi është gjithnjë e më afër, tani kur duket dritë në fund të tunelit. I gjithë personeli mjeksor bënë të pamundurën, besoni se nuk është e lehtë. Neve na duhet ndihma juaj. Beteja nuk zhvillohet vetëm nëpër spitale, në njësitë e kujdesit intensiv. Beteja më e madhe është jashtë spitalit, kudo, në rrugë, në shtëpitë tona, nëpër supermarkete, në kafene, në bankë… gjithkund… Një lutje e madhe për të gjithë… respektoni rekomandimet, mbani maskë, mbani distancë, shmangni grumbullimet sidomos në ambiente të mbyllura. Mos ti përsërisim gabimet.
Shëndet të mbarë për të gjithë.

Jetmir Ziba


Loading...
loading...