Aktuale

MPB apelon qytetarët: Mos hapni linqe dhe mesazhe të dyshimta


Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka apeluar qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos hapin linqe apo mesazhe të dyshimta, pasi së fundmi është vërejtur rritje e sulmeve kibernetike të tipit “phishing”.
Sipas njoftimit të MPB-së, këto mashtrime realizohen përmes mesazheve të rreme SMS, e-mail-eve, faqeve të rreme në internet, si dhe përmes rrjeteve sociale. Mesazhet, zakonisht, paraqiten sikur vijnë nga burime të besueshme, si banka, institucione shtetërore apo kompani të njohura, me qëllim mashtrimin e qytetarëve dhe sigurimin e të dhënave personale ose financiare.
“Më të shpeshtat janë mesazhet e rreme SMS që lidhen me dërgesa postare të supozuara. Qëllimi është që pranuesi të klikojë në një faqe të rreme dhe, duke futur të dhënat personale, të mundësojë keqpërdorime të mëtejshme”, sqarojnë nga MPB.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Sektorin për Krim Kompjuterik pranë MPB-së janë paraqitur mbi 50 denoncime që lidhen me këtë lloj mashtrimi.
Nga MPB u bëjnë thirrje qytetarëve që:
të mos hapin linqe dhe mesazhe të dyshimta,
të mos ndajnë të dhëna personale apo financiare, si numra kartelash bankare, fjalëkalime apo identifikues personalë,
të kontrollojnë adresën e dërguesit, duke pasur parasysh se institucionet dhe kompanitë zyrtare përdorin domene zyrtare,
të përdorin autentifikimin me dy faktorë (2FA) për mbrojtje shtesë,
dhe të raportojnë çdo mesazh të dyshimtë tek institucionet kompetente ose bankat përkatëse.
Nga Ministria theksojnë se Sektori për Krim Kompjuterik vazhdon në mënyrë aktive hetimet dhe ndërmerr masa për zbulimin dhe sanksionimin e autorëve të këtyre mashtrimeve.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button