MSH: Komisioni për Sëmundje Ngjitëse kërkoi që MASH të dorëzojë të dhëna për shkollat dhe numrin e nxënësve, ndërsa MPPS të përgatisë protokollet për kopshtet

Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse në mbledhjen e sotme kërkoi nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që të dorëzojë të dhëna për të gjitha shkollat në të gjitha komunat në shtet dhe numrin e fëmijëve në të gjitha paralelet, të cilat janë të dhëna kyçe që të përcaktohet se ku eventualisht do të kishte mësim onlajn dhe ku do të ishte e sigurt që të zhvillohet mësimi edhe me prani fizike, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Në takim, siç theksohet në kumtesë, në praninë e përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës u diskutua për planin për mbajtjen e mësimit në shkolla në vitin shkollor 2020/2021 të përgatitur nga MASH-i nga aspekti i sigurisë së të gjithë pjesëmarrësve në procesin mësimor – nxënësit, arsimtarët, personeli ndihmës, si dhe nga aspekti i parandalimit të përhapjes së infeksionit me virusin korona në shkolla.

Në Komisionin për Sëmundje Ngjitëse ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale u bisedua edhe për protokollet për fillimin e punës në kopshte. Konkluzioni ishte se një pjesë e protokolleve duhet të përgatiten nga ana e MPPS-së, të shqyrtohen dhe pastaj të sillet vendim në lidhje me fillimin e punës së kopshteve.

Ishte shqyrtuar edhe informacioni për vendosjen e testeve PCR për qytetarët nga vendet e rrezikshme të cilët transitojnë përgjatë shtetit tonë. Për momentin Komisioni vazhdon që syhapur të ndjekë situatën dhe nëse vërtetohet se ka nevojë, nuk përjashtohen masa shtesë. Me masat ekzistuese, qytetarët të cilët transitojnë përgjatë shtetit nënshkruajnë deklaratë se për tri orë do ta lëshojnë vendin dhe nuk paraqesin rrezik për përhapje të virusit korona në vendin tonë, shtohet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.

In : Aktuale

Loading...
loading...