Mungesa e ilaçeve në Gjermani , gjendja e pandryshuar

Lista po bëhet gjithnjë e më e gjatë. Në farmacitë gjermane ka mungesa si të shurupit për kollë, edhe ilaçeve kundër tensionit apo kancerit. Farmacistët kritikojnë projektligjin e ri të qeverisë.

Gati përditë ndodh që farmacisti, Sebastian Berges i le të dalin nga dera pa ilaçin e duhur klientët e tij.

“Në recetë shkruhet një ilaç për hollimin e gjakut, por për momentin ky ilaç nuk ofrohet për furnizim”, i thotë Berges, pensionistes Ingrid Klüppel.

Zhgënjimi i 67-vjeçares është i madh. Ajo e do ilaçin për bashkëshortin të sëmurë rëndë.

“Kjo është katastrofike dhe situata po bëhet gjithnjë e më keq”, thotë Ingrid. “Si është e mundur, që ilaçe të tilla, që bashkëshorti im i merr prej vitesh nuk gjenden më?”

Gjendja ashpërsohet

Edhe farmacisti me përvojë konstaton keqësimin e situatës.

Në dimër mungonin ilaçe si shurupi i kollës dhe ato kundër dhimbjeve, tani mungojnë medikamente në të gjitha spektrin e ilaçeve, thotë ai.

Gati 470 lloj ilaçesh nuk janë të ofrueshme.

“Momentalisht nuk marrim antibiotikë. Disa ilaçe hormonesh dhe kortizoni edhe ato kundër astmës po ashtu nuk gjenden”, kritikon Berges.

Fajin për këtë nuk e kanë vetëm zinxhirët e furnizimit, por edhe marrëveshjet e uljes së çmimit që shoqëritë e sigurimit shëndetësor bëjnë me ofruesit më të lirë të preparateve imituese, të njohura si ilaçe “generika”, që përmbajnë të njëjtën lëndë si preparati origjinal.

Shumë prodhues farmaceutikë nuk kanë leverdi të prodhojnë për tregun gjerman, dhe janë tërhequr nga Gjermania.

Në mënyrë që për këta prodhues të jetë sërish atraktiv prodhimi për Gjermaninë, ministri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach do që me një projektligj të ri të reduktojë presionin e kostove.

Projektligji lehtëson rregulloret e çmimit për medikamentet për fëmijët. Marrëveshjet e uljes së çmimit në këtë sektor shfuqizohen.

“Por kjo nuk ka për t’i penguar ngushticat”, thotë Bork Bretthaues, drejtor ekzekutiv i Shoqatës “Pro Generika”.

Sepse ky projektligj është i fokusuar vetëm tek ilaçet për fëmijët dhe antibiotikët. “Tek ilaçet e tjera gjendja e furnizimit mbetet si është – e pastabilizuar dhe pjesërisht madje kritike”.

Sistemi duhet të ndryshohet

Më tej ky projektligj parashikon që veçanërisht tek tenderët për antibiotikët në të ardhmen të kihet kujdes që substancat të prodhohen në Evropë dhe BE.

Qëllimi, sipas Lauterbach, është që të rritet numri i ofruesve dhe të reduktohet varësia nga prodhues të caktuar në Kinë apo Indi.

Por kjo nuk ka për të ndodhur kaq shpejt sa e dëshiron ministri Lauterbach.

Shoqata e Mjekëve “Marburger Bund” i ka cilësuar masat si hap në drejtimin e duhur. Problemi është se Gjermania është e varur nga disa qendra prodhimi dhe kjo duhet të ndryshojë, por ashtu duhet të bëhen teste stresi për zinxhirë të caktuar të furnizimit.

Përqendrimi në tregun botëror të substancave farmaceutike është efekti i drejtpërdrejtë i një presioni të pamëshirshëm ekonomik me drejtim uljen e çmimit, ka deklaruar “Pro Generika”.

Ndërkohë që dihet, sa më shumë leje për ilaçe dhe sa më të shpërndara qendrat e prodhimit, aq më i stabilizuar është furnizimi, sepse kompensohen më mirë rëniet e prodhimit diku tjetër.

“Vërtet që gjatë pandemisë u kuptua, se sa problematike është varësia e madhe e Evropës nga prodhuesit aziatikë të ilaçeve, por do duhet një kohë e gjatë derisa kjo gjendje të ndryshojë”, thotë farmacisti, Sebastian Berges. 68% e prodhuesve të shumicës së përbërësve të ilaçeve për Europën gjenden në Azi, thuhet në një studim të Shoqatës Farmaceutike, VFA. Gati dy të tretat e 3500 përbërësve të ilaçeve të ofruar në tregun botëror prodhohen në Kinë dhe Indi.

Gjermania dikur farmacia e botës

Shumë farmacistë janë të mendimit se projektligji aktual gjerman nuk i zgjidh problemet.

Me të nuk ndryshohet gjendja – që farmacistët në raste kufizimesh në furnizim të shesin vetëm preparatet alternative të të njëjtit prodhues.

Sepse vetëm këto janë të pranuara për pagesë nga shoqëritë e sigurimit.

“Sipas qëndrimit tonë duhet të krijohen stimuj që t’ia vlejë sërish prodhimi i ilaçeve në Gjermani”, kërkon Berges.

Në fund të fundit Gjermania në shekullin e 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të kishte imazhin e “farmacisë së botës”, dhe për dekada konsiderohej si prodhuesja dhe furnizuesja më e rëndësishme me ilaçe.

Shumë çmime Nobel u morën atëherë nga shkencëtarët gjermanë. Por kjo kohë i përket së shkuarës.

In : Aktuale

Loading...
loading...