BLENDI PETROL
Aktuale

Na e ktheni 2 Majin!

Unë jam ithtar i zgjidhjes në stilin “ose-ose”: ose të hiqen festat fetare (më pak të rëndësishme) krejtësisht, ose festat fetare ortodokse dhe myslimane të vlejnë për të gjithë qytetarët, për shkak se me to përfshihen përqindje e madhe e qytetarëve, mungesa e të cilëve ndikon në punën e administratës ose subjekteve ekonomike, ndërkaq, festat e komuniteteve më të vogla fetare(bektashiane, hebraike, katolike, …), të vlejnë vetëm për ta, pasi mungesa e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve nuk do të ndihej gjithaq, për shkak të numrit të tyre të vogël

Nga Daut Dauti
Ky vikend rastis të jetë para Një Majit, festës së madhe punëtore. Ditës kur punëtorët e Çikagos, para më shumë se një shekulli(1886), kanë kërkuar të drejtat e tyre, orar të caktuar, status social(siguri) në kushte të një kapitalizmi të egër ku në mënyrë të vrazhdë është eksploatuar djersa e punëtorëve. Greva dhe protestat e organizuara nga sindikatat kanë zgjatur me muaj dhe janë përshkallëzuar ato katër-pesë ditë të fillimit të majit, sepse janë shfrytëzuar nga shumë elemente anarkiste, gjë që për pasojë ka pasur që një kauzë e drejtë është shndërruar në përleshje të përgjakshme. Së pari kanë rënë viktimë disa punëtorë, e më pas, anarkistët i kanë thirr punëtorët që të armatosen dhe gjatë përleshjeve janë vrarë shumë policë. Katër anarkistë të dyshuar për dhunën, një vit më vonë janë dënuar me vdekje dhe ekzekutuar…
Me pak fjalë, kjo është ajo që e lidhë ditën që punëtorët e festojnë në gjithë botën dhe pas kongresit të parë të Internacionales së dytë, më 1989, vendoset që Një Maji të jetë festë e përbashkët në të gjitha vendet që klasa punëtore do të manifestojë unitet për kërkesat e veta dhe solidaritetit klasor. Në kujtim të viktimave që ranë për më shumë të drejta, në shumë vende të botës bëhen marshime tradicionale ose protesta të sindikatave punëtore. Sivjet, pas një heshtje disa vjeçare, edhe sindikatat e Maqedonisë do t’u rikthehen protestave të 1 Majit, si akt simbolik.
Të drejtat e klasës punëtore do të jenë edhe strumbullari i çdo lëvizjeje masash ose çdo revolucioni të nxitur nga forcat e majta në gjithë botën. Lufta për të drejta të punëtorëve, ka mbetur si një parim universal gjer në ditët e sodit. Por, kur e festojmë 1 Majin, kontekstet historike për shumëkënd janë të largëta dhe na ka mbetur vetëm festimi, pushimi si “një dhuratë e merituar” shoqërore për punëtorët, por dhe për të gjithë qytetarët. Dhe këtu, pra, desha të ndërlidhem, me atë që si gjë të bukur e kujtojmë nga sistemi i kaluar, sepse më shumë se Një Majin, e kujtojmë Dy Majin, ditën tradicionale për piknik, që ishte pjesë e festimit, e të cilin, ndërkohë, VMRO-DPMNE-ja na e hoqi duke e kompensuar atë me festa të tjera, kryesisht fetare ose kombëtare të dyshimta, duke e ngarkuar kalendarin e festave si në rrallë vend tjetër.
Kuptohet, respektimi i ndjenjave të besimtarëve dhe të ditëve të rëndësishme nga kalendari fetar nuk është gjë e keqe, përkundrazi. Mirëpo, sikur u humbën kriteret dhe u bënë zgjidhje jo të duhura, të cilat gjenerojnë probleme praktike. Një nga përfitimet e demokracisë është pikërisht respektimi i lirive të predikimit fetar, i cili në ish-shtetin e përbashkët të Jugosllavisë së Titos, nuk ka qenë aq i rrezikuar(në dallim nga vende socialiste të tjera, si në rastin më drastik të Shqipërisë ku ka qenë e ndaluar feja), mirëpo, “feja ka qenë e ndarë prej shtetit” dhe asnjë festë fetare nuk ka qenë festë shtetërore dhe me rënien e sistemit komunist, kjo padrejtësi u korrigjua. Kërshëndellat, Pashkët (ortodokse e katolike) dhe Fitër Barjami e Kurban Bajrami i myslimanëve, ose festat kryesore të romëve(Shëngjergji), hebrenjve…etj, u bënë festa. Mirëpo, këtu u bë një mishmash, sepse përveç festave kryesore fetare, të cilat u bënë festa shtetërore, në kalendar u futën edhe të tjera, “më të vogla”. Që t’i iket ditëve të shumta të pushimit, ishte vendosur që disa nga këto festa të vlejnë vetëm për pjesëtarët e një komuniteti fetar. Kësisoj, fituam festa fetare që vlenin për të gjithë qytetarët si ditë jo pune(Pashkët, Kërshëndellat dhe Fitër Bajrami) dhe festat tjera, vetëm për pjesëtarët e një komuniteti fetar, shumicës së të cilave shumëkush as ua di emrin e kuptimin dhe rëndësinë.
Praktika shumë vjeçare e festimit ka nxjerrë në pah gjithë defektin e këtij festimi asimetrik. Më saktë, janë shkaktuar çrregullime në punën e administratës dhe subjekteve ekonomike, sepse, përderisa besimtarët e krishterë festojnë dhe nuk dalin në punë, punët e tyre duhet t’i kryejnë pjesëtarë të komunitetit tjetër. Ose, edhe në rast kur festojnë myslimanët, që janë komuniteti fetar pothuajse i madh aq sa ai ortodoks, punët e tyre duhet t’i kryejnë besimtarët ortodoksë dhe të tjerë. Çka do të thotë kjo, mjafton të shkoni ato ditë nëpër institucione që të shihet sa të punësuarit vërtet i kryejnë obligimet, sa është motivi dhe kapaciteti i tyre që të kompensojnë mungesën e atyre që shteti u ka lejuar të pushojnë. Për kompanitë të mos flasim, sepse në shumë prej tyre ndoshta dhe nuk respektohen këto festa që vlejnë vetëm për një komunitet, sepse kështu prishet ritmi i punës, pëson procesi prodhues, i tregtisë etj.
Është rast i mirë tash në prag të 1 Majit, t’ia përkujtojmë kësaj qeverie se ka nevojë për ta rishikuar kalendarin e festave, dhe jo vetëm për atë që do të parapëlqeja unë dhe shumë qytetarë të tjerë, që të kthehet 2 maji, ajo dritë tradicionale e pikniqeve në natyrë dhe nëpër qendra rekreative e turistike, por më tepër, për të gjetur zgjidhje për këto festimet gjysmake që vlejnë vetëm për një komunitet fetar. Unë jam ithtar i zgjidhjes në stilin “ose-ose”: ose të hiqen krejtësisht festat fetare më pak të rëndësishme, ose festat fetare ortodokse dhe myslimane nga kalendari aktual i festave të vlejnë për të gjithë qytetarët, për shkak se me to përfshihen përqindje e madhe e qytetarëve, mungesa e të cilëve ndikon në punën e administratës ose subjekteve ekonomike, ndërkaq, festat e komuniteteve më të vogla fetare(bektashiane, hebraike, katolike, …), të vlejnë vetëm për ta, pasi mungesa e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve nuk do të ndihej gjithaq, për shkak të numrit të tyre të vogël. Po kështu, do të duhej që të rishikohet edhe dita e VMRO-së si festë shtetërore, pasi po aq sa themelimi i saj ka karakter kombëtar(ajo ka qenë njëra nga lëvizjet kombëtare maqedonase), aq rëndësi ka edhe themelimi i Partisë Komuniste të Maqedonisë, që nuk shënohet, edhe pse veprimi i kësaj të dytës ka luajtur rol më të madh historik për shtetësinë e Maqedonisë! Duket paradoksale, por ashtu është nëse e shikojmë historinë e këtyre dy lëvizjeve.
Racionalizimi i festave shtetërore, është një nevojë e kahershme, sepse Maqedonia është nga vendet me numër më të madh sish dhe me model problematik për çka u fol më lartë. Më mirë të na kthehet 2 Maji dhe kur të vijë dita, të dimë ta shijojmë, pavarësisht nga fakti se atë e kanë imponuar ideologjitë majtiste(kauza e punëtorëve i përket edhe shoqërisë moderne e cila nuk është ideale në çdo gjë), se sa të kemi festa shtetërore që vlejnë vetëm për komunitete të caktuare fetare.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button