Nafta lirohet, shtrenjtohen ushqimet

Sipas Raportit të FAO-s, të publikuar të premten, çmimet globale të mallrave ushqimore u shtrenjtuan në shkurt, për të parë herë që nga vjeshta e kaluar, duke reflektuar çmimet e sheqerit, qumështit dhe produkteve të qumështit dhe vajrave
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 11 mars – Në dallim prej çmimeve të naftës që për një periudhë më të gjatë shënojnë ulje dhe tregojnë stabilizim, çmimet e ushqimeve në tregjet botërore tregojnë shtrenjtime. Për më tepër, ushqimet janë shtrenjtuar që nga shtatori i vitit të kaluar e këndej, ndërsa çmimet e naftës tregojnë trend në ulje. Çmimi i naftës vazhdoi të ulet fillim të kësaj jave, për shkak se brengosja për ndikimin e doganave amerikane importuese ndaj rritjes globale ekonomik dhe të kërkesës për karburant, si dhe rritjen e prodhimit nga prodhuesit e Opek Plus, e zvogëluan oreksin e investitorëve për investime më të rrezikshme, shkruan gazeta KOHA.
Nafta e papërpunuar ra për 31 cent ose në 70.05 dollarë për barel. Nafta amerikane e papërpunuar tregtohet me 66.69 dollarë për barel. Kjo si rrjedhojë e rënies për të tretën javë me radhë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, së pari vendosi pastaj i anuloi doganat ndaj Kanadasë dhe Meksikës, njëherësh duke rritur doganat importuese për mallrat kineze. Çmimet e naftës ranë pasi të dhënat e dobëta ekonomike nga Kina përkeqësuan më tej një perspektivë tashmë të vështirë të kërkesës, ndërsa tregjet më të gjera mbajtën një ton të kujdesshëm, raportojnë agjencitë. Nafta është nën presion nga një sërë faktorësh negativë, duke përfshirë përshkallëzimin e luftës tregtare globale, planet e Opec dhe aleatët e tij për të rritur prodhimin dhe bisedimet për t’i dhënë fund luftës trevjeçare në Ukrainë.
Nga ana tjetër, sipas raportit të ri të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) të publikuar të premten e kaluar, çmimet globale të mallrave ushqimore u shtrenjtuan në shkurt, për të parë herë që nga vjeshta e kaluar, duke reflektuar çmimet e sheqerit, qumështit dhe produkteve të qumështit dhe vajrave. Indeksi i çmimeve të ushqimit sipas raportit të FAO-s, i cili gjurmon ndryshimet mujore në çmimet ndërkombëtare të një sërë mallrash ushqimore të tregtuara globalisht, rezultoi mesatarisht 127.1 pikë në shkurt, 1.6 për qind më shumë se muaji i kaluar dhe 8.2 për qind më i lartë se niveli i tij i shkurtit 2024.
“Rritja u nxit kryesisht nga indeksi i çmimeve të sheqerit të FAO-s, i cili u rrit me 6.6 për qind nga janari pas tre muajsh rënieje radhazi, duke arritur në 118.5 pikë në shkurt. Rritja u nxit nga shqetësimet për furnizimet globale të mundshme më të ngushta për sezonin 2024/25, veçanërisht për shkak të rënies së perspektivave të prodhimit në Indi dhe kushteve të pafavorshme të motit që prekin të korrat në Brazil”, thuhet në raportin e kësaj organizate prestigjioze.
Sipas raportit, indeksi i çmimeve të qumështit të FAO-s u rrit me 4.0 për qind nga janari, duke arritur mesatarisht 148.7 pikë. Rritja ishte rezultat i çmimeve më të larta në të gjitha produktet kryesore të qumështit, duke përfshirë djathin dhe qumështin pluhur, pasi kërkesa e fortë për import tejkaloi prodhimin në rajonet kryesore eksportuese. Indeksi i çmimeve të vajit vegjetal të FAO-s ishte mesatarisht 156.0 pikë në shkurt, 2.0 për qind më shumë se janari dhe deri në 29.1 për qind më i lartë se një vit më parë. Rritja ishte kryesisht rezultat i çmimeve më të larta për vajrat e palmës, sojës dhe lulediellit, të nxitura nga kufizimet sezonale të furnizimit në Azinë juglindore dhe kërkesa e fuqishme nga sektori i bionaftës, thuhet tutje në raport.
“Indeksi i çmimeve të drithërave të FAO-s u rrit me 0.7 për qind në shkurt, mesatarisht 112.6 pikë. Gjithashtu çmimet e grurit u rritën për shkak të furnizimeve më të shtrënguara në Federatën Ruse dhe shqetësimeve për kushtet e të korrave në Evropën lindore dhe Amerikën e veriut, megjithëse indeksi i përgjithshëm mbeti pak nën nivelin e tij të shkurtit 2024. Çmimet botërore të misrit vazhduan të rriten, mbështetur nga shtrëngimi i furnizimeve në Brazil dhe kërkesa e fortë e SHBA-së për eksport. Në të kundërt, çmimet botërore të orizit ranë me 6.8 për qind në shkurt për shkak të furnizimeve të bollshme të eksportueshme dhe kërkesës së dobët për import”, thuhet tutje në raport.
Në një raport të veçantë, FAO parashikoi një rritje modeste të prodhimit global të grurit për vitin 2025, e vlerësuar në 796 milionë tonë, rreth 1% më e lartë se një vit më parë. Kjo rritje u mbështet nga fitimet e pritshme të prodhimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht në Francë dhe Gjermani. Megjithatë, sfida të tilla si kushtet e thata në Evropën lindore dhe reshjet e tepërta në Evropën perëndimore mund të ndikojnë në rendimentet, paralajmëroi FAO. Në SHBA, akraja e grurit pritej të zgjerohej, megjithëse rendimentet mund të bien për shkak të kushteve të thatësirës. Sipas FAO-s, indeksi i çmimeve të mishit u mbajt i qëndrueshëm në shkurt, mesatarisht 118.0 pikë, me një rënie margjinale me 0.1 për qind nga janari. (koha.mk)