Ndërroi jetë Amir Selimi, pronar i Vanilla Plazza dhe një nga themeluesit e ëmbëltores së parë “Vanilla” në Strugë

Me pikëllim të thellë është pritur lajmi i ndarjes nga jeta, në moshën 72-vjeçare, i Amir Selimit – një figure e respektuar e kulturës, sportit dhe gastronomisë në Strugë.
Amir Selimi do të kujtohet jo vetëm si dashamirës i muzikës dhe sportit, por edhe si pronar i Vanilla Plazza, një prej restoranteve më atraktive dhe më të frekuentuara të qytetit, si dhe si një nga themeluesit e ëmbëltores “Vanilla”, një prej të parave në Strugë, që u bë vite me radhë simbol i shijes dhe traditës së ëmbëlsirave artizanale.
Ai ishte po ashtu kryetar i Shoqërisë Artistike “Dollia”, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Përkushtimi i tij shquhej edhe në sport, ku si pjesë e Klubit Futbollistik “Flamurtari” Ladorisht, ai ishte gjithmonë mes iniciativave dhe aktiviteteve që mbajnë gjallë shpirtin sportiv të fshatit.
Puna, mirësia dhe angazhimi i tij i palodhur do të mbeten gjatë në kujtesën e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, në orën 13:00, në varrezat e Frëngovës.
Ngushëllime të sinqerta familjes Selimi.
Qoftë i paharruar kujtimi i tij.

































