
Ndërron jetë Nexhmi Etemi (Neçka)
Me dhimbje të thellë është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit të njohur strugan, Nexhmi Etemi (Neçka), i cili ndërroi jetë mbrëmë rreth orës 22:00 në moshën 61-vjeçare.
I lindur në Frëngovë të Strugës, Nexhmiu ka qenë një nga figurat më të dalluara të futbollit në rajon. Ai mbetet i paharruar si një nga lojtarët kyç të Flamurtarit të Ladorishtit në kohën e artë të klubit, kur skuadra gëzonte popullaritet dhe mbështetje të jashtëzakonshme. Me stilin e tij të lojës, ai i dha ekipit forcë, elegancë dhe rezultate që edhe sot kujtohen me krenari nga sportdashësit.
Përveç karrierës në skuadrat e Strugës, Nexhmiu vijoi rrugëtimin e tij sportiv edhe në Zvicër, ku fitoi respektin e komunitetit shqiptar dhe më gjerë, duke u bërë një shembull i përkushtimit dhe pasionit për futbollin.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur thellë familjarët, miqtë, ish-bashkëlojtarët dhe dashamirët e sportit, të cilët e kujtojnë si një figurë të çmuar që la gjurmë të pashlyeshme.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot në ora 15:00, në varrezat e Frëngovës.

































