Në ditën e dëshmorëve!

Sot është 5 Maji, dita e dëshmorëve të kombit.Në këtë ditë të shenjtë përkujtojmë me respekt dy dëshmorët tanë të rrethit Bajram Coma dhe Demisha Hoxha, të rënë në Betejën e Nikolicës (Korçë) si pjestarë të taborit të Strugës në mbrojtje të kufijve të Atdheut kundër andarëve grekë në vitin 1914. Dy luftëtarët e lirisë nga Ladorishti ranë dëshmorë më 24 prill të vitit 1914, si dy luanë në betejën e Nikolicës në mbrojtje të teritorit shqiptar kundër pushtuesve grekë.Ata kishin marr pjesë më parë edhe në luftën e Petrinjës (Ohër) të vitit 1913 kundër pushtuesve serbë, por që këtë radhë së bashku me 40 burra të tjerë nga tabori i Strugës, iu përgjigjën thirrjes së komandantit të përgjithshëm të forcave vullnetare shqiptare kapedan Sali Butkës, në mbrojtje të kufijve të shtetit të brishtë shqiptar nga agresioni i ushtrisë greke në jug të Shqipërisë.Bajram Coma dhe Demisha Hoxha janë dy nga shumë dëshmorët e tjerë të kombit që dhanë jetën në mbrojtje të Atdheut në Nikolicë të Korçës. Ata mbetën monumente të lirisë për jetë.Gjaku i dëshmorëve të kombit të rënë dhe heroizmi i tyre në ato beteja, u bënë burim frymëzimi dhe guximi që u shëndrrua në kushtrim të lirisë për fitore te luftëtarët e tjerë vullnetarë shqiptarë, ku tek ata gjetën forcën për t’i thyer dhe për t’i zbrapsur hordhitë greke në malet e Gramozit, duke ruajtur të paprekur çdo pëllëmbë toke shqiptare të larë me gjak gjatë gjithë atyre viteve të vështira të rimëkëmbjes së shtetit të ri shqiptar.Lavdi dëshmorëve të kombit!

Medai Shaholli


Loading...
loading...