Ne jemi mërgimtarë!

Çun Lajçi

Kur na i merrshit paret n’kohë lufte, ishim t’besueshëm.
Sot jo!
Hallall iu qoftë!

Ne jemi mërgimtarë!
Na quejtet kështu, që kur shkjau na i dha rrugët e largëta pa qenë kurrë. Kurrë pa e ditë se ku i bie Parisi, Berlini, Gjeneva apo Viena. Donte me na tretë, se vendi i duhej pa neve!
Na kishin thanë se atje dikund flitet gjermanisht e paret u kanë kimet. Flitet edhe frengjisht e duhet t’ua mësoni edhe gjuhët edhe ligjet edhe zakonet për nji copë rrisk.
Pare kanë boll. Lira, shilinga, franka, dojçemarka!
Vetëm duhet shtri qafën e mbyllë gojën. Më vazhdua ashtu t’bardhë, t’virgjër, t’butë, t’besës e t’punës.
Siç ishim n’arat tona, n’bjeshkët tona me bardhoka me syka me kablusha!
Djersën me derdhë e paret m’ua marrë. Me ia çua babës n’odë Dukagjini, Drenice, Anamorave, Anadrini, Llapit e Gollakut!
As harta s’patem me vete kur u nisëm me ditë se ku do t’ndalen trenat e ku autobusët!
Atëherë s’kishte aeroplana! Kohë e vjetër ishte, tani e largët edhe për mua.
I lam delet n’vatha e baballarët n’derë t’kullave. Do pika loti i lam n’gji t’nanave kur i morem ngrykë.
I lam edhe do nuse shtatzana, e s’i pamë fëmijët tue u përkundë. I gjetëm sokolana kur erdhëm n’sylah.
Ishim t’rijë për rrugët plot drita. Na thanë rrini urtë, punoni mirë e bahuni qingja për me i thithë dy nana!
Ne u zbutem aq shumë sa i gjetëm edhe do nuse plaka, për letra!
Do që i lamë tue na pritë n’qilere edhe i harruem. Do bimë na dolën n’Evropë e do bimë na u rritën n’Kosovë.
Po, ne i fituem do pare. I mësuem do gjuhë. I blemë do toka. I maruem do kulla. Por i humbem edhe do fëmijë rrugëve t’hueja.
S’i gjetëm as nanë as babë kur u kthyem. Ata vdiqën tue pritë të djegun mallit për ne.
Edhe ju sot na doni për xhepat plot!
Na queni mërgimtarë pa e dijtë se sa t’vështira i patem rrugët e sa t’përmallshëm ishim për babë e nanë, që na përcollen e s’na priten m’u kthye!
Po, ne jemi mërgimtarë edhe sot që na ftoni për do vota!
Por shpirtin na e vratë kur thatë: Duhet t’iu thërrasim n’telefon që t’iu besojmë!?
Kur na i merrshit paret n’kohë lufte, aq shumë na besojshit, sa as vërtetima s’na jepshit, as numra telefonash s’na merrshit!
Atëherë ishim mërgimtarë t’besueshëm, a po jo?
Hallall iu qoftë!

Dardani, 14.01.2021

In : Aktuale

Loading...
loading...