Në Strugë prezantohet plani operativ për vetpunësim – mbi 500 aplikime nga të rinjtë struganë

Strugë, 5 korrik 2025 – Në hotelin “Ëmbla” në Strugë, në praninë e punëdhënësve dhe punëmarrësve, u prezantua plani operativ për vetpunësim i cili synon të mbështesë të rinjtë deri në 29 vjeç, por edhe personat mbi këtë moshë të evidentuar si të papunë.
Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, drejtori i Agjencisë për Punësim, Salatin Beluli, si dhe kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut Perëndimore, Mendi Qyra,zv ministri i Bujqësisë Albrim Hoxha,deputeti Bekim Qoku si dhe eksponent të tjerë.
Ministri Durmishi theksoi se ky plan është hartuar në bazë të analizave të vazhdueshme dhe sipas tij, rezultatet e para tregojnë për efektivitetin e masave. “Deri tani, vetëm në komunën e Strugës janë paraqitur mbi 500 aplikime për vetpunësim, ndërsa në Tetovë mbi 1.100. Ky interesim i madh tregon se masat janë të nevojshme dhe pritet të jenë të suksesshme,” tha Durmishi, duke shtuar se për këtë plan janë ndarë gjithsej 40 milionë euro.
Nga ana e tij, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut Perëndimore, Mendi Qyra, vlerësoi se pavarësisht dallimeve që shpesh ekzistojnë mes biznesit dhe qeverisë, ky plan konkret ka gjetur mbështetjen e sektorit privat. “Tregu i punës ka nevojë për masa të tilla, sepse aktualisht bizneset po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, duke qenë të detyruar të importojnë punëtorë nga jashtë, ndërkohë që në Entin për Punësim janë me mijëra persona që presin. Ky paradoks duhet zgjidhur,” theksoi Qyra.
Ai gjithashtu apeloi që të ulen kontributet për bizneset, në mënyrë që të lehtësohet barra financiare dhe të formalizohet tregu i punës.
Në aspektin teknik të planit operativ foli drejtori i Agjencisë për Punësim, Salatin Beluli, i cili sqaroi procedurat dhe kriteret që duhet të plotësojnë aplikuesit.
Ngjarja u shoqërua me një bashkëbisedim të hapur mes të pranishmëve, ku përveç vlerësimeve, pati edhe kritika dhe objeksione nga një pjesë e përfaqësuesve të biznesit, të cilët vlerësuan se këto masa kanë ardhur me vonesë dhe duhet të ishin implementuar më herët.





