
Shqiptarët në diasporë po shënojnë suksese të jashtëzakonshme në biznes. Përfaqësuesi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në SHBA, Naim Dedushaj, ka deklaruar se shqiptarët janë shndërruar në superfuqi dhe se Nju Jorku kontrollohet prej tyre në tri fusha kyçe: pasuri të paluajtshme, gastronomi dhe ndërtim.
“Që nga vitet ’90, Manhatani është nën kontrollin e shqiptarëve në ndërtimtari dhe pasuri të paluajtshme. Sot ata janë një superfuqi në biznes”, tha Dedushaj në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Ndërkohë, publicisti Pal Shtufi, që jeton në Zvicër, theksoi se në këtë shtet ka mes 3 dhe 4 mijë milionerë shqiptarë, kryesisht të gjeneratave të reja të arsimuara në Zvicër. “Ata janë të qetë, punojnë fort dhe nuk të bien në sy. Vetëm ndonjë dhëndër i papërshtatur del me makina luksoze e shkakton probleme”, u shpreh ai me humor.
Edhe në vende të tjera të Europës, diaspora shqiptare po shkëlqen. Mjeku shqiptar në Suedi, Rushit Arifi, tha se integrimi në këtë vend është shembullor, ndërsa fëmijët e lindur atje flasin shqipen më mirë se bashkëmoshatarët e tyre në diasporat e tjera. Kjo falë faktit se gjuha shqipe është lëndë shkollore në sistemin arsimor suedez dhe kontribuon në notat për regjistrim në gjimnaz.
Diaspora shqiptare, nga Amerika deri në Zvicër e Suedi, po dëshmon se është jo vetëm e integruar, por edhe një faktor i fuqishëm ekonomik, kulturor dhe shoqëror në vendet ku jeton.





























