Negociata për Qeveri të re, takime dhe mesazhe të para mes partive

Informacione dhe mesazhe për bisedimet për formimin e qeverisë së re u dërguan dje përmes njoftimeve nga LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja, partitë që fituan 46 dhe 44 deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe pas konstituimit të Kuvendit para katër ditëve hynë në garën për shumicën e re parlamentare.
Nga LSDM-ja mbrëmë përmes një komunikate informuan se zhvillohen negociata serioze me kryetarët e partive politike, me grupe të punës, anëtarë të udhëheqësive të partive për formimin e Qeverisë me mandat të plotë të ri katërvjeçar, të mbështetur nga shumica e qëndrueshme në Parlament.
Sekretari i tyre i përgjithshëm Lupço Nikollovski sot pasdite ka pasur takim me sektarin organizativ të BDI-së Artan Grubi, me të cilin ka pasur diskutim konstruktiv për konfirmim të angazhimeve të të gjithë qytetarëve për paqe, stabilitet, siguri dhe bashkëpunim në vend dhe rajon, marrëdhënie të shëndosha ndëretnike dhe fqinjësore, zhvillim ekonomik, shtet ligjor, mjedis të pastër jetësor dhe mirëqenie shoqërore.
Kanë biseduar për shumicë parlamentare dhe për koalicion për mandat të plotë, katërvjeçar, të qëndrueshëm dhe kanë konfirmuar se nuk ka alternativë tjetër për integrim, përveç anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Nga LSDM-ja në kumtese potencuan edhe se negociata zhvillohen për Qeveri e cila është e gatshme të punojë, të lëviz shpejt përpara përmes rrugës evropiane të ekonomisë dhe të drejtësisë.
“Qeveria e cila i hap negociatat për anëtarësim me BE-në dhe Qeveri e cila me çdo kapitull të ri të hapur nga negociatat do të vendos standarde të reja evropiane për jetë më të mirë. Për shkak të mbrojtjes më të mirë të shëndetit të qytetarëve, për siguri më të madhe dhe parashikim ekonomik, është e nevojshme shumicë e qëndrueshme parlamentare dhe mandat të plotë të Qeverisë së re e cila do të vazhdojë të punojë në dobi të qytetarëve dhe të shtetit. Qytetarët na e dhanë besimin në zgjedhjet. Në mandatin e ardhshëm katërvjeçar do të tregojmë se mundemi edhe më shumë dhe edhe më mirë të punojmë në dobi të qytetarëve”, theksua nga LSDM-ja. Lideri i tyre Zoran Zaev, pas konstituimit të Kuvendit, sipas njoftimeve në media, pati takime të ndara me kryetarët e BDI-së Ali Ahmeti, Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela dhe të Alternativës Afrim Gashi, si dhe me Menduh Thaçin nga PDSH.
VMRO-DPMNE-ja, nga ana tjetër në një reagim përmes një kumtese kërkuan që të tregojnë se “cilat janë partitë e shumicës së re dhe se cili është çmimi i koalicionit të tillë”.
“Në vend të kumtesave të bezdisshme dhe sterile për vetë-inkurajim pasi LSDM-ja për të tretën ditë pohon se ka shumicë, publikisht u bëj thirrje të tregojnë se cilat janë partitë nga shumica e re, cili është çmimi për një koalicion të tillë, kush do të jetë shembull, në të kundërtën do të dëshmohet se gënjen dhe manipulon. Sa i përket ardhmërisë për të cilin shkruajnë nëse nga LSDM-ja varet e ardhmja, mjerë shteti dhe qytetarët. Pasi thonë se prej tyre varej e ardhmja evropiane atëherë publikisht pyesim çka i pengoi deri më tani që ta sjellin”, qëndron në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Kryetari i Alternativës Afrim Gashi është optimist se do të formohet qeveri e re dhe para skadimit të 20-të ditëve pas ndarjes së mandatit, si dhe që koalicioni i tyre me Aleancën për Shqiptarët do të jetë pjesë e saj.
“Megjithatë, deri te mandatari është dhe deri te shifrat. Uroj që të ishim ne, por nuk jemi në pozitë tani të negociojmë as të imponojmë. Pjesa jonë është thënë, qartë kemi thënë se cilat janë pozitat tona. Me korrektësi jemi pozicionuar edhe në lidhje me BDI-në dhe në lidhje me partitë politike maqedonase, nuk duam të favorizojmë askënd, as të hendikepojmë. Mendoj se është shumë e rëndësishme sepse qeveria e kaluar dhe të gjitha qeveritë e kaluara ishim të drejtuar para shumë sfidave të rënda dhe çështjeve si zgjidhja e kontestit me emrin, Marrëveshja me Bullgarinë…Tani për herë të parë mendoj se anija do të na lundrojë në ujëra më të qetë, jo se punët e brendshme janë më të qeta, por me të vërtetë koha përfundimtare është të merremi me punët më të rëndësishme të cilat ndikojnë thellësisht në interesat e qytetarëve – ekonominë, shëndetësinë, shtetin juridik, arsimin”,..tha Gashi duke qenë mysafir në emisionin “Samo intervju” në TV kanal 5.
Jam optimist, citoi, se do të formohet qeveri, qeveri e mirë. Pres që edhe ne të bëhemi pjesë e asaj qeverie, nëse arrijmë përcaktimet tona programuese dhe premtimet parazgjedhore t’i vendosim, të bëhen pjesë e programit zgjedhor. Presim, që të vjen një moment shumë interesant, ku do të duhet të punojmë të gjithë së bashku dhe të tregojmë se duhet të ndalen disa praktika të urrejtjes politike dhe betejës së brendshme”; tha Gashi.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme formimi i Qeverisë të themelohet në bazë të legjitimitetit. Tha se për shkak të rrjedhës së zgjedhjeve, i kanë lejuar BDI-së të negociojnë për Qeveri. Konsideron se BDI nuk do të tërhiqet nga kërkesa e tyre që kryeministri i shtetit të jetë shqiptar.
Sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, në një kolumnë për gazetën “Koha” theksoi se në përputhje me vendimin e qytetarëve, shqiptarët nuk duhet të lihen pa opozitë dhe se ata duhet të kenë një opsion të tillë.
Nëse të gjitha partitë shqiptare dëshirojnë të jenë pjesë e Qeverisë, unë do të loboja me bindje të plotë në subjektin politik ku punoj, lëvizjen Besa edhe krahas faktit se ne jemi fitues dhe siguruam mandat përmes koalicionit “Mundemi”, të shqyrtohet mundësia me deputetët tanë të kalojmë në opozitë, shkroi Arianit Hoxha.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik, përbërja e re parlamentare u konstituua katër ditë më parë dhe filloi afati 10-ditor për formimin e shumicës parlamentare, pas së cilës Presidenti duhet të japë mandatin për të formuar Qeverivë. Mandatari, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, paraqet një program në Kuvend dhe propozon përbërjen e Qeverisë.