Nese përgjoheni apo ndiqeni,do njoftoheni nga shteti!

Secili qytetarë do të mund të mësojë nëse DSK-ja e reformuar dhe e shndërruar në Agjenci për Siguri Kombëtare, e ndjek ose e përgjon atë. Me ndryshimet e propozuara ligjore të cilat tashmë kanë hyrë në procedurë parlamentare, Agjencia për Siguri Kombëtare do të jetë organ i pavarur nga Ministria e Brendshme dhe të punësuarit e saj nuk do të kenë autorizime policore.

Çdo qytetar, personalisht për të, do të ketë të drejtë të mësojë nëse Agjencia mbledh të dhëna për të dhe në afat prej 30 ditësh të marrë përgjigje. Është qartë e definuar se në cilat raste, për këtë do të duhet vendim nga gjykata dhe në cilat raste do të duhet vetëm leje nga drejtori i ASK-së. Të dhënat e siguruara, pas një periudhe, do të fshihen nëse nuk janë bazë për zbulim të mëtejshëm”- tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Ministri Spasovski në takimin joformal me gazetarët tha se qëllimi i regormave në DSK është largimi I përqëndrimit të fuqisë dhe synimi i heqjes së epitetit “polici sekrete”. Puna e ASK-së do të jetë parandalimi dhe jo ndëshkimi. Të dhënat e mbledhura nga ASK-ja nuk do të mund të shfrytëzohen si dëshmi në gjykatë.Drejtori i saj do të zgjidhet nga Qeveria, me propozim të Kryeministrit. Por edhe Agjencia për Siguri Kombëtare do të ketë mundësi përgjimi me pajisje të posaçme taktike. Sipas ministrit Spasovski dhe drejtorit të DSK-së Goran Nikollovski, momentalisht DSK-ja nuk posedon kështu pajisjesh por duhet t’i sigurojë pas miratimit të ligjit, nëse do të posedojë financa të mjatueshme. Zv.drejtori i DSK-së Siljan Avramovski sqaron se pse ASK-ja do të ketë nevojë përgjimi direkt, edhe pa ndërmjetësimin e Agjencisë Teknike Operative, e cila muaj më parë u formua për të ndërmjetësuar sinjalin.

Pajisja taktike të cilën do të mund ta shfrytëzojë Agjencia për Siguri Kombëtare është shumë e fokusuar, me vëllim të vogël, e kufizuar. Drejtori do ta ketë për obligim menjëherë të informojë Prokurorinë për shfrytëzimin e saj. Nëse Prokuroria nuk pajtohet, materiali i siguruar menjëherë fshihet. Kjo është për shkak të nevojës për veprim të shpejtë. Pajisja ka “lock file” me të dhëna se kur është marrë dhe kur është kthyer”- theksoi Siljan Avramovski, zv.drejtor i UBK-së, drejtues i grupit të punës për reforma.

Kandidatët për punësim në ASK do të duhet të kalojnë disa filtra selektimi, të cilave do t’u paraprijë një analizë për vendet e punës dhe profilin e nevojshëm të personit që duhet të angazhohet. Filtri i fundit do të jetë NATO dhe kriteret e saj. Puna e Agjencisë për Siguri Kombëtare do të monitorohet nga Komisioni parlamentar, avokati i popullit, prokurori publik dhe Këshilli Civil.

Fatlume Dervishi

In : Aktuale

Loading...
loading...