Nesër paraqitja e dytë në shkollat e mesme, 24.529 vende të lira

Në shkollat e mesme publike në Maqedoni nesër (e mërkurë) do të realizohet paraqitja e dytë në afatin e qershorit për regjistrim në vit të parë në vitin shkollor 2017/2018, ndërsa rezultatet për regjistrim të nxënësve do të publikohen ditën e ardhshme, 6 korrik. Në afatin e parë të paraqitjes në qershor, të realizuar në datat 28 dhe 29 të muajit të kaluar, nga 17.179 të paraqiturit, janë pranuar 11.205 nxënës, shkruan gazeta KOHA. Ministria e Arsimit dhe Shkencës informoi se vende të lira në paraqitjen e dytë në afatin e parë ka për gjithsej 24.529 nxënës në shkollat e mesme publike në gjithë komunat në Republikën e Maqedonisë, edhe pse, siç paraprakisht u publikua, regjistrimi në disa shkolla ka përfunduar në paraqitjen e parë të qershorit, kryesisht nëpër gjimnaze dhe në drejtimin profesional të mjekësisë. MASH njoftoi se zgjerohet kuota për regjistrim të nxënësve në vitin e parë për një paralele në SHMQSH Gjimnazi “Orce Nikollov” në Shkup dhe lejohet regjistrim i të gjithë nxënësve të cilët kanë arritur të paktën sukses prej 74,68 pikë, ndërsa kanë aplikuar në afatin e parë të regjistrimit – paraqitja e parë. Zgjerohet kuota edhe për regjistrim të nxënësve në vit të parë në SHMQSH Gjimnazi “Rade Jovçevski Korçagin” dhe lejohet regjistrim i të gjithë nxënësve të cilët kanë arritur sukses të paktën 74,65 pikë, ndërsa kanë aplikuar në afatin e parë të regjistrimit – paraqitja e parë. Për mësim në gjuhën shqipe ka 7.455 vende të lira, për në gjuhën maqedonase 16.118 vende të lira,  për në gjuhën turke ka 819, ndërsa për gjuhën serbe janë të lira 34 vende dhe 103 vende të lira për përsëritës. Sipas llojit të arsimit, nëpër gjimnaze ka 6.171 vende të lira ( 2,215 për nxënës për mësim në gjuhën shqipe; 3.504 për nxënës për mësim në gjuhën maqedonase; 344 për nxënës në gjuhën turke; 34 për nxënës në gjuhën serbe dhe 74 për përsëritës), në arsimin profesional ka 18.252 vende të lira (5.204 për nxënës për mësim në gjuhën shqipe; 12.554 për nxënës në gjuhën maqedonase; 475 për nxënës në gjuhën turke dhe 19 për përsëritës). Në gjimnazin e sportit janë të lira 106 vende prej të cilëve 36 janë për nxënës për mësim në gjuhën shqipe, 60 për në gjuhën maqedonase dhe 10 për përsëritës). Në numrin e përgjithshëm të nxënësve të regjistruar dhe vendeve të lira për paraqitjen e dytë në afatin e regjistrimit të qershorit nuk është përllogaritur numri i nxënësve nga shkollat e mesme për arsim të arteve, për shkak se nxënësit në ato shkolla japin provime shtesë. Për nxënësit të cilët edhe në paraqitjen e dytë në qershor nuk do të regjistrohen në arsim të mesëm, ka edhe afat të dytë për regjistrim – më 24 gusht, ndërsa shkollat të cilat edhe në të dy afatet nuk do t’i plotësojnë vendet do të regjistrojnë nxënës deri më 31 gusht. Arsimi i mesëm u bë i obligueshëm për të gjithë nxënësit nga viti shkollor 2008/2009, në pajtueshmëri me ndryshimet e Ligjit për arsim të mesëm. Në vitin shkollor 2016/2017 klasën e nëntë përfunduan 20.712 nxënës. (koha.mk)StrugaLajmStrugaLajm

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...