Nga populli gurbetçar nuk bëhet shtet

FLAKA

Kur ndërton një shtëpi nuk ka rëndësi emri yt, por cilësia e tjegullave, dyerve dhe mureve. Nuk është faji yt! Ti nuk di, nuk ke patur kurrë një shtet dhe tani që e ke, nuk di si të sillesh. Por të paktën mësohu! Nëse jo për veten tënde, për fëmijët tuaj! Epo, mos ua shkërdhe nënën të paktën atyre! Kafshë!!! Sikter në shtëpi! Për sot kaq!

Nga Agim JONUZ

Maqedonia po na shpërbëhet para hundës. Në të vërtet, varet se kush dhe çfarë nënkupton me termin shpërbërje. Sigurisht që as nuk dëshiroj dhe as nuk më vjen mirë. Dua vetëm të analizoj se ku jemi dhe ku po shkojmë! Le të kuptohemi, askush nuk mendon në mënyrë afatgjate dhe nuk hesht me frikë për atë se në cilën trajektore po lëvizë vendi. Maqedonia është bërë rob kronik i mentalitetit dhe mallkimit të përçarjes. Dihet se çdo i dyti në Maqedoni thotë se Maqedonia shumë lehtë mund të jetë si Zvicra për nga kapaciteti, por jo çdo i dyti, madje as çdo i dhjeti nuk ndërmerr ndonjë gjë. Ndërkohë, forcat destruktive dhe ndërthurja e primitivizmit dhe konformizmit vetëm sa shkatërrojnë vendin, i cili gjatë gjithë kohës thotë se është pjekur për të hyrë në Evropë, duke harruar se nuk është as për në Afrikë. Maqedonia është një fenomen që vështirë se dikush mund ta kuptojë, nëse nuk jeton në sokakët e njerëzve më hejterë në botë, të cilët kënaqen në vetëshkatërrim. Por, le të shkojmë me radhë!

E para, si bartës i shtetësisë dhe shumicës, populli maqedonas është një fenomen më vete, i cili gjatë historisë nuk ka shfaqur asnjëherë shenja apo elemente koherence, uniteti dhe qëndrueshmërie të indit në nivel intelektual, të makinerive lëvizëse për sa i përket avangardës. Historia dëshmon se edhe për Republikën e Krushevës, e cila në asnjë letër të bardhë nuk thotë se ishte “republikë maqedonase”, deri në momentin e fundit nuk dihej nëse do të bëhej kryengritje apo jo. E vërteta është se edhe në listën e të vdekurve shumica e tyre janë vllehë, shqiptarë dhe nga një “maqedonas të pastër”. Dhe, çfarë nënkuptojmë me termin “maqedonas i pastër”. Hajt, të heshti. Por kjo nuk është tema. E përmend këtë sepse nuk ka një gjë të tillë si një “artefakt rebel historik vendimtar” që mund ta kapim kur të godasim gjoksin për “histori të madhe”! Nejse. Për pjesën tjetër të historisë ata do të duhet të konsultohen me bullgarët, të cilët nëse jemi realistë, ma së pari do të shkaktonin luftë, sesa që të tërhiqen nga fakti se historia maqedonase nuk është vetëm e lidhur ngushtë me atë bullgare, por është thjesht bullgare. Nëse breza të tërë kanë studiuar një histori nga tekstet shkollore, dhe dikush në shekullin e njëzetenjë do të zbulojë se gjithçka ishte “ho, ho vetëm kemi bërë shaka”, atëherë, diçka jo vetëm që nuk shkon në drejtimin e duhur, por shkon drejt në humnerë! Unë jam një nga ata që u arsimova në gjuhën maqedonase dhe kam mësuar historinë, duke ndërtuar respekt për figurat historike maqedonase. Dhe çfarë tani!? Në moshën gjashtëdhjetë vjeçare, më duhet të pajtohem me faktin se “epo, kemi bërë shaka, e vërteta është ndryshe”! Djema! Ju keni një problem shumë serioz. Dhe kjo është se si të më bindni se gjithë jetën unë nuk kam jetuar në lajthitje ku janë rrënjët e vlerave qytetëruese të atdheut tim. Po, e imja! Edhe pse jam shqiptar! Ku të nënës të shkoj prej këtu. Në një farë mënyre edhe unë jam maqedonas! Unë thashë, në një farë mënyre!

Në kohën kur historia moderne po shkruhet në nivelin e përcaktimit të shtetit maqedonas si diçka që është realitet, është dështues fakti që maqedonasit nuk e trajtojnë vendin e tyre me përgjegjësi. Përçarje absolute (primordial) në të gjitha nivelet, mungesë sensi për ndërtimin e institucioneve të shëndosha të qeverisjes, mungesë sensi serioziteti për ndërtimin e një jete sociale cilësore që me automatizëm lind “patriotë”. Çorientim total i drejtimit të ndërtimit të realitetit të vërtetë maqedonas në nivel të ndërtimit të ndjenjës së shtetësisë. Gjëja më tragjike është se duke perifrazuar fjalën “tokë gurbetçari”, vijmë te e vërteta reale ndërsa e dhimbshme që thotë se edhe në shekullin e njëzetenjë, në kohën e Maqedonisë së caktuar të pavarur, moderne, demokratike dhe të përcaktuar, gjithkush që ka një gram mend ikë nga shteti. Ku!? Pra, çfarë është fjala “gurbet” !? Në përgjithësi, përkthimi më autentik do të ishte ky! “Largohu nga kjo shkërdhyerje ujqish, kërko një jetë më të mirë, pastaj na tërhiq të gjithëve nëse mundesh!” Të shkuarit në gurbet nuk ndodh vetëm për shkak të mungesës së parave. Por nga mospasja e jetës. Nga mospasja e asnjë lloj kuptimi i të qëndruarit këtu! Nejse, për këtë nuk duhet të karakterizojmë vetëm maqedonasit, nuk është reale. Shqiptarët janë absolutisht e njëjta histori.

Si e dyta dhe shumë e rëndësishme dhe reale, çështja shqiptare, ndryshe nga ajo maqedonase, tregon organizim më të madh. Dikush do të thotë “a bre amerikanët qëndrojnë pas tyre”! Jo! Amerikanët qëndrojnë edhe prapa maqedonasve, përndryshe nuk do të kishte shtet! Mirëpo, megjithatë, kur fut dy gurë të mprehtë në një thes, thesi kurdoqoftë do të shkyhet. Kështu në këtë shtetin tonë kemi dy kombe me komplekse të trasha, secili për vete. Por, e njëjta bishtajë! Asgjë më pak popull gurbetqarësh, asgjë më ndryshe nga aspekti ambiental. Secili me kauzën e vet, duke lënë pas dore kauzën më të rëndësishme. Ndërtimi i një shteti të shëndetshëm. E kujt i ha për shtetin në një kohë kur ka për të vjedhur, të gënjyer, të manipulojë, të bëhet dikush dhe diçka brenda natës, në të cilën gjithçka mund të ndodhë përveç – mendjes së shëndoshë! Në Maqedoni ka një krizë serioze të mendjes së shëndoshë. Dhe çfarë thotë mendja e shëndoshë!? Ja çfarë! Të sqarojmë pse mendoj se Maqedonia po shpërbëhet dhe se nuk bëhet shtet nga një popull dhe mentalitet gurbetqarësh!? Thjeshtë! Të kuptohemi, unë këtu nuk po luaj rolin e një maqedonasi të madh! Unë e di saktësisht se kush jam dhe çka jam. Unë jam një shqiptar etnik. Unë kam pasaportë maqedonase dhe diku jashtë më drejtohen me “përshëndetje maqedonas”! Kjo është normale. Mirëpo, në vendin ku ka lindur edhe babai, edhe gjyshi dhe stërgjyshi im (ai para tij ka ardhur nga rrëza e malit të Korabit), e ndjej se nuk ka të ardhme. Për fëmijën të mos flas fare. Sigurisht, jo vetëm i imi. Ndjej se vendi po shpërbëhet. Nga më vjen paturpësia që të them se po shembet!? Ja nga ku.

Maqedonia kapi “trenin e fundit” për t’u anëtarësuar në NATO dhe kështu “e shpëtoi bythën” nga demarkacioni i mundshëm i kufijve dhe ndarja “kujt çka i duhet”. Për tridhjetë vjet nuk ka arritur as të hedhë themelet për ndërtimin e një “kombi maqedonas” për një numër që e do vërtet shtetin dhe është i gatshëm të sakrifikojë për të dhe të ardhmen e tij. Etnocentrizmi si varrmihës luan gjithmonë “twistigen” mbi varrin e një vendi që mund dhe duhej të ishte “Zvicra e Ballkanit”! Mirëpo, për të qenë zviceran duhet të mendosh si zviceran, jo si komit, ballist apo çetnik. Duhet të mendosh për të ardhmen, jo për të kaluarën. Nëntëdhjetë për qind e temave aktuale lidhen me njëfarë historie dhe elementesh historike që po diskutohen, duke mos parë para hundës se e ardhmja po ekzekutohet para brezave të rinj. Nuk u krijua një masë ndikuese që do të kishte menduar në mënyrë “zviceriane”. E si mund të mendojë, kur për establishmentin politik është më e rëndësishme nëse Goce Dellçevi i kishte mustaqet e lyera apo ka patur ndonjë fije të bardhë. Apo, Skënderbeu, kur ka vallëzuar, në dorë a rrotullonte një jamboli apo një batanije pambuku? Maqedonia ka një problem serioz me hapjen e dyerve për personazhet e rinj, avangardë që “nuk ua ndien vërtet për Gocen, Mocen dhe Skënderbeun”, por të ndërtojë një vend ku nuk do të kesh nevojë për miqësi për të marrë një shërbim si te mjeku ashtu siç i ka hije një të civilizuari dhe dinjitoz. “Homo sapiens” i shekullit të njëzetenjë. Nëse dikush do të thoshte se duhet të pastrohet fillimisht me të kaluarën për të punuar për të ardhmen, do të isha dakord, por vetëm deri në nivelin që ajo e kaluar nuk e lejon që t’ia “shkërdhejë nënën” së tashmes. jetës sime të përditshme. Të ardhmes sime. Të kuptohemi, nëse Maqedonia nuk e ripërcakton urgjentisht filozofinë e atdhedashurisë, të parë nga dylbi galaktike, ajo shpejt do të shpërbëhet. Shqiptarët duan ose nuk duan, kur të hapen të gjitha kufijtë automatikisht, do të jetojnë në një “Shqipëri etnike” të madhe, serbët në Shkup do të luajnë “çaçak” dhe do të tallen me “çokalitë”, bullgarët me të drejtë absolute do të thonë “еми ние сме в к‘шти” (ne jemi në shtëpi/Bg), grekët definitivisht do të luajnë “këllçe” me ne, dhe ne do të kënaqemi me faktin që të paktën “at papitu” quhemi Maqedoni. Mirëpo, e Veriut! Dhe a po ndërtojmë breza që një ditë do të kundërshtojnë grekët dhe do të pyesin: “Ku është e jugut, e lindjes?” Jo! Ne nuk ndërtojmë breza të tillë, ne thjesht (lirisht mund të hidhëroheni) “të hamë mut”! Ne jemi një kafshë e madhe që nuk e dimë se shteti duhet të shpëtohet dhe të ndërtohet realisht dhe jo vetëm deklarativisht. Si!? Shumë e thjeshtë, nëse vërtet mendojmë se i kemi kushtet për të qenë “Zvicër”!

Me eliminimin e menjëhershëm të etnocentrizmit nga politika, krijimi i një opsioni politik qytetar që e sheh “nënën në shtet dhe jo në parti” dhe që do të ndërtojë institucione të shëndosha të sistemit. Një opsion që ushqen vetëm vlerat dhe rregullat moderne të qytetërimit, dhe jo rregullat e topuzit të mbretit Marko apo Musa Arbanasit. Një opsion që nuk pyet për emër dhe mbiemër, por vlera që janë mbi ato etnike, mbi ato primitiviste dhe realiste për shekullin e njëzetenjë. Njerëz! Vendi po ju shpërbëhet para hundës, ndërsa ju rrini të verbër! Tatimi do të paguhet një ditë. Maqedonia po shkon në drejtim të gabuar. Po! NATO do të na mbrojë! Askush nuk mund të na ndajë! Hajde de! Mos ti hyjë dikujt vetja në huj. Shkoni bre në rrotë të së ëmës!

OOO XHEMAT!… Kur ndërton një shtëpi nuk ka rëndësi emri yt, por cilësia e tjegullave, dyerve dhe mureve. Nuk është faji yt! Ti nuk di, nuk ke patur kurrë një shtet dhe tani që e ke, nuk di si të sillesh. Por të paktën mësohu! Nëse jo për veten tënde, për fëmijët tuaj! Epo, mos ua shkërdhe nënën të paktën atyre! Kafshë!!! Sikter në shtëpi! Për sot kaq!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)


Loading...
loading...