Nikollovski:Prej 2029 nga Shkupi në Strugë dhe Ohër do udhëtohet vetëm në autostradë!

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, ka deklaruar se, përveç segmenteve të autostradës Ohër – Kërçovë dhe Tetovë – Gostivar – Bukojçan, të cilat janë në fazë ndërtimi, do të ndërtohet edhe pjesa Bukojçan – Kërçovë. Me këtë, do të përfundojë lidhja e plotë autostradore nga Shkupi në Ohër dhe Strugë, duke shënuar autostradën e parë të re të nisur nga kjo qeveri.
“Arritëm të sigurojmë një kredi shumë të favorshme nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Vlera e parashikuar e këtij projekti është rreth 123 milionë euro. Më gëzon fakti që siguruam edhe një grant prej 20 milionë eurosh nga banka, që përbën rreth 20% të vlerës totale të autostradës,” deklaroi Nikolloski në emisionin Tema e Ditës në televizionin Sitel.
Ai shtoi se aktualisht është në proces parakualifikimi për zgjedhjen e kompanisë ndërtuese, ndërsa pritet që kjo të ndodhë gjatë pranverës ose verës. Segmenti Tetovë – Gostivar – Bukojçan pritet të përfundojë në fund të vitit 2028 ose në fillim të 2029-ës, ndërsa segmenti Kërçovë – Ohër do të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm, duke mundësuar një lidhje të plotë autostradore.
Segmenti Bukojçan – Kërçovë, së bashku me nyjen lidhëse, ka një gjatësi prej 12.7 km dhe do të përfshijë ura, viadukte dhe një tunel. Sipas ministrit, terreni është shumë sfidues dhe kjo pjesë do të jetë më e vështira për t’u ndërtuar nga pikëpamja inxhinierike.