Nis Lufta/Rusia sulmon Ukrainën. Shpërthime në Kiev

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Rusia ka nisur pushtimin e vendit të tij. Në një postim në Twitter, Kuleba shkroi se presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur “pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë”.

Ai tha se Ukraina do ta mbrojë veten dhe se “bota mund dhe duhet ta ndalë Putinin”.

“Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulm. Ky është një agresion”, tha Kuleba.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, tha se Rusia ka kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.

Përmes një postimi në Twitter, ai tha se ka biseduar me aleatët perëndimorë dhe se u ka bërë thirrje atyre që ta ndihmojnë Ukrainën me mbrojtje dhe financa.

Presidenti rus konfirmoi se ka nisur, siç tha, një operacion “special” për “çmilitarizimin” e Ukrainës.

Shpërthime dhe të shtëna me armë u raportuan në Kiev dhe qytete të tjera.

Sipas raporteve nga agjencitë perëndimore të lajmeve, qytete të shumta janë nën sulm. CNN raportoi për shpërthime në së paku shtatë qytete.StrugaLajm

Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë aeroportit kryesor “Boryspil” në Kiev, menjëherë pasi Rusia njoftoi për operacionin, bëri të ditur agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar mediat lokale.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mohoi të ketë sulmuar qytetet ukrainase, duke thënë se në shënjestër ka “infrastrukturën ushtarake, mbrojtjen ajrore dhe forcat ajrore me armë të precizionit të lartë”, raportoi agjencia ruse e lajmeve RIA.

Nuk është ende e qartë nëse forcat tokësore janë të përfshira në ndonjë aksion.StrugaLajm

Në një fjalim televiziv, drejtuar kombit, Putin u përpoq të justifikonte operacionin, duke pretenduar se ai është i nevojshëm për ta parandaluar Ukrainën nga sigurimi i armëve bërthamore – edhe pse Ukraina nuk ka shprehur synime të tilla.

“Rrethanat kërkojnë që ne të ndërmarrim veprime vendimtare dhe të menjëhershme”, tha Putin, duke shtuar se separatistët e mbështetur nga Rusia në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës, kanë kërkuar ndihmë.

Ai i bëri thirrje ushtrisë ukrainase të dorëzojë armët dhe tha se Rusia “nuk e ka ndërmend të pushtojë territorin ukrainas”.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e dënoi operacionin, duke e cilësuar atë si një sulm “të paprovokuar dhe të pajustifikuar” ndaj Ukrainës dhe shtoi se bota “do ta mbajë Rusinë përgjegjëse”.

Ai tha se Rusia do të jetë përgjegjëse për “humbjet katastrofike të jetëve dhe vuajtjet njerëzore”.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e dënoi atë që e quajti sulm “të pamatur” të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ai njoftoi se aleatët e NATO-s do të mblidhen në takim për të diskutuar “agresionin rus”. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por është në linjë me Perëndimin.

“Kjo është shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe kërcënim serioz për sigurinë euroatlantike”, shkroi Stoltenberg në Twitter.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmin e pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës”, tha shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell./REL

In : Aktuale

Loading...
loading...