Nga Pr.Doktor Ethem Ruka
NJË GRUSHT DËBORE PËR TË SHUAR ETJEN E FUNDIT
Njeriu është qenie çuditshme. Vazhdimisht provon kujtesën e vet. Edhe unë ndonjëherë kujtoj bashkëmoshatarët e prindërve të mi qi ishin pleq e plaka të urta, të dashur e gojëmjaltë. Të moshuarit tymosnin vazhdimisht çibuqet e tyre ne qetësi dhe “ripërtypnin” kujtimet e moteve të shkuara. Ata ikën një e nga një dhe sot jetojnë vetëm në kujtimet dhe gjenet tona.
Shumë nga të moshuarit e fshatrave të anëve tona, që i kishin shpëtuar kosës së vdekjeve në moshën e fëmijërisë apo luftrave, jetuan gjatë e me dinjitet. Duket sikur në këto anë vepronin ligje të tjera për jetën. Është e vështirë të japësh një shpjegim të qartë, por me sa duket jeta në lëvizje dhe e shkrirë me natyrën e virgjër ndikoi fuqimisht në jetgjatësinë e tyre. Tani e kuptoj më mirë pse babai dhe nëna ime, kur i kishin kaluar të nëndëdhjetat dhe po i afroheshin një shekulli të plotë, më thoshin gjithmonë se ishte ajri dhe uji që i kishte mbajtur ende në këmbë.
Pindërit e mi jetuan gjatë, por bashkëmoshatërë të tjerë te tyre jetuan edhe më gjatë, ndoshta edhe më shumë se njëqind vite. Nëse data e vdekjes së tyre dihej e saktë, dita e lindjes mbetej e mjegullt. Në ato kohëra, regjistrat e gjendjes civile nuk funksiononin mirë dhe shpesh ditëlindja rritej për të shmangur ushtrinë.
Të moshuarit përdornin referenca të tjera për të përcaktuar vitin e saktë të lindjes, si përshëmbull sa vjeç kishin qenë kur kish filluar lufta e parë botërore, lufta e Vlorës, qeveria e Nolit etj. Njerëzit kishin gjetur mënyra të tjera për të kompensuar mungesën e dokumentacionit të saktë zyrtar e për më tepër që objektet e kultit mysliman nuk mbanin regjistra siç ndodhte në kulturen e krishtere.
Kam lexuar e shkruar për jetëgjatësinë në disa nga botimet e mija. Statistikat botërore thonë se aty nga vitet 1900 jeta mesatare në vendet e zhvillura nuk ishte as 45 e vjeç, por kjo nuk do të thotë që në ato kohëra nuk kishte njerëz që jetonin gjatë, madje edhe më shumë se njëqind vite.
Me kujtohet nga mosha e fëmijërisë, nënë Razua që jetoi shumë gjatë, ndoshta edhe 115 vite dhe ishte kërrusur aq shumë sa që ishte bërë si një presje. Ajo mund të ketë qenë një kampoine jetgjatësie në botë, por askush nuk mundi ta dokumentonte. Në fshat thoshin se atë e kish harruar perëndija, kur bashkëmoshataret e saj kishin vite e vite që kishin ndrruar jetë.
Nënë Razua nuk ishte e vetmja. Rreth të njëqindave, por ndoshta edhe më tepër se kaq, jetuan Maliq Mama, (thonë 110 vjetë) Elmaz Muçua, Saqo Zia, Sali Hita, Nexhip Ruçi, Azbi Ruka, Muhamet Shaha, Hava Kuçi etj.
Një studim më i imët për jetëgjatësinë e atij brezi të mbijetuarish, jo vetëm për Turanin, por edhe për fshatrat e tjera të krahinës sonë do të kishte shumë interes për të kuptuar më mirë stilin e jetës dhe faktorëve mjedisorë në të cilët ata jetuan. Të moshuarit nuk braktiseshin kurrë nga familiarët dhe pleqëria e tyre rrallë ndodhte të ishte e vetmuar.
Në ato kohëra thoshin se kur binte dëborë e parë do të ikte ndonjë plak ose plakë. Ndoshta njerëzit kishin bërë vrojtime në breza dhe kishin konstatuar se të moshuarit iknin më shumë në fillim të dimrit se në stinët e tjera më të ngrohta. Por ky nuk ishte një rregull natyror i prerë.
Më ka mbetur në mendje që një prej të moshuarve, që lëngonte në shtratin e vdekjes gjatë verës, kërkoi një grusht dëborë për të shuar etjen e fundit. U nis djali i filanit në mal për dëborë, më tha një herë nëna. Me duket se nuk e ka të gjatë. Dukej sikur i sëmuri donte të lante shpirtin e trazuar para se ta dorëzonte te i plotfuqishmi. Kur një njëri në fund të jetës kërkon diçka, të afërtit bëjnë të pamundur ta plotësojnë atë me çdo çmim që mos tu mbetet merak për gjithë jetën. E cili nip a djalë nuk do të donte të plotësonte dëshirëne fundit të babait a gjyshit të vet!
Por të gjeje dëborë në verë nuk ishte gjë e lehtë. I vetmi vend ku mund të gjendeshin ca harta të pashkrira dëbore ishte vetëm maja më e lartë e malit përballë, ku gjithçka ishte e egër dhe e pastër. Rruga vajtje-ardhje duhej bërë sa më shpejtë të ishte e mundur që lënguesi të mos ndrronte jetë pa provuar dëborën e ftohtë në buzët dhe gojën e përzhitur nga pesha e dhimbjes.
Ushqimi në zonat tona nuk ka qenë i bollshëm. Prodhimet bujqësore kanë qënë më të kufizuara, ndërsa ato blegtorale më të bollshme. Në periudhën e verës mishi konsumhej më pak se mungonin mjetet frigoriferike, ndërsa prodhimet e qumështit si gjalpi, kosi, djathi, dhalla, gjiza, urla etj kanë qenë të bollshme. Në pranverë e verë thereshin mishra, por piqeshin dhe konsumoheshin brenda ditës, ndërsa në dimër, kur temperaturat ishin të ulëta nuk kishte shtëpi të mos e përdorte mishin për gjellë.
Dreka nuk ka qenë kurrë vakti më i pasur ushqimor në fshatrat tona. Të gjithë ishin në punë ose me bagëti dhe ushqimin e merrnin me vete sa për të shuar urinë. Darka, kur grumbulloheshin të gjithë, ishte më e bollshme, por asnjëherë shumë e pasur në kalori. Prodhimet bujqësore dhe frutat ishin ashtu siç i prodhonte natyra, të pastra dhe të patrajtuara me kimikate. Unë nuk mbaj mend asnjë të ishte obez, përkundrazi ata ishin, siç thoshin andej, të thatë dhe të thantë, dmth të padhjamosur dhe të fortë si druri i thanës.
Për mitologjinë e vjetër helene, fati i njeriut për jetëgjatësinë është i parcaktuar dhe secili prej nesh do të ishte i pafuqishëm të ndryshojë rrjedhën e tij. Fati do të ishte në dorë të tri hyjnive Moire, ku hyjnia Klotho do të thurte fillin e jetës së çdo njeriu, hyjnia Lakesis do të maste vazhdimisht fillin dhe hyjnia Atropos do të këpuste atë pa kompromis, kur fati i paracaktuar ishte përmbushur dhe vdekja duhet të bënte punën e vet. ‘Jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër’ thotë një nga shprehjet tona popullore, filozofia e së cilës është përsëri se fati është i paracaktuar, me të cilin nuk luajmë dot.
Sot, shkenca na ka bërë të ndryshojmë mendje e të themi se jetëgjatësia nuk është thjeshtë një fat. Falë shkencës e teknologjisë në mund përballemi me ‘fatin’ e shkruar në gjenet tona, si dhe me faktorët mjedisorë që ndikojnë në aktivitetin e tyre. Sot dimë më shumë dhe kemi kuptuar se jetëgjatësia është produkt i bashkëveprimit të kapitalit tonë gjenetik (gjenomës) me faktorët mjedisore, shoqërorë dhe sjelljeve tona.