
Këshilli i Prokurorëve Publikë ka shpallur konkurs për zgjedhjen e gjithsej 47 prokurorëve publikë në disa Prokurori Themelore Publike (PTHP) në mbarë vendin.
Në këtë konkurs pritet të aplikojnë kandidatët e gjeneratës së tetë të Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, të cilët dje morën certifikatat për përfundimin me sukses të trajnimit fillestar.
Kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publikë, Dushica Dimitrieska, sqaroi se janë hapur vende për:
- 14 prokurorë në PTHP Shkup,
- 4 në PTHP Tetovë,
- 3 në PTHP Kumanovë, Ohër, Prilep dhe Shtip,
- 2 në PTHP Gjevgjeli, Manastir, Gostivar, Kërçovë dhe Strumicë,
- 1 në PTHP Kriva Pallankë, Veles, Resnjë, Strugë, Radovish, Dellçevë dhe Koçan.
“Situata është alarmante. Aktualisht mungojnë rreth 100 prokurorë publikë, kështu që kjo shifër prej 47 prokurorësh, nëse plotësohet, do të ndihmojë në lehtësimin e situatës deri në një farë mase,” deklaroi Dimitrieska.