BLENDI PETROL
Aktuale

Njohuri të pakta për produktet bankare

Ekonomistët janë të mendimit se konsumatorët e edukuar në aspektin financiar kanë shumë më pak gjasa që të hyjnë në borxh kreditor me kushte të pavolitshme dhe të bien pre e mashtrimeve të ndryshme

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 23 maj – Popullata e Maqedonisë ende ka një edukim të pamjaftueshëm financiar, me qëllim të krijimit të kulturës së mirëfilltë financiare, që u ndihmon të gjitha palëve të interesit për të marrë vendime të duhura mbi bazën e njohurive të mjaftueshme. Produktet e ndryshme financiare, përllogaritja e kamatave, sigurimet vullnetare, fondet e pensioneve, fondet e investimeve, ende pak njihen nga konsumatorët në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA.
Kështu thonë analizat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë dhe me këtë rast sugjerohet që nxiten politika konkrete, projekte dhe aktivitete edukuese për edukim financiar më të madh të popullatës së rritur.
Ekonomistët janë të mendimit se konsumatorët e edukuar në aspektin financiar kanë shumë më pak gjasa që të hyjnë në borxh kreditor me kushte të pavolitshme dhe të bien pre e mashtrimeve të ndryshme.
Por edhe banorët e shteteve fqinje nuk mund të lëvdohen me edukim të kënaqshëm financiar. Në Kroaci, bie fjala, me mijëra qytetarë janë vendosur para problemeve të mëdha për shkak se para 10 vitesh kanë hyrë në borxhe kreditore në valutën zvicerane e cila atëherë kishte kurs të volitshëm, ndërsa disa vite më vonë shtrenjtohet valuta zvicerane karshi kunës kroate. Kjo ka ndikuar që qytetarëve të zhytur në borxhe t’iu shkakton telashe të mëdha për shkak të rritjes së kostos së pagesës së borxheve ndaj bankave. Përkundër paralajmërimit të Bankës Popullore Kroate se kursi devizor mund të shtrenjtohet jo më shumë se 10 deri 15 për qind, megjithatë qytetarët nuk u treguan të kujdesshëm gjatë hyrjes në borxh, ndërkohë që franga zvicerane në vitet pasuese u shtrenjtua së pari për 10 për qind e më vonë edhe për 30 për qind. Për ta zbutur këtë problem, qeveria Kroate e kryeministrit Zoran Milanoviq megjithatë ndërmori masa me të cilat zbuti kthimin e borxhit të qytetarëve në valutën zvicerane. Probleme të ngjashme janë shkaktuar edhe në Serbinë fqinje.
Ekonomistët thonë se kultura financiare në ditët e sotme përbën një domosdoshmëri për këdo, duke nënkuptuar jo vetëm ritmet e zhvillimit ekonomik, bankar dhe teknologjik, por edhe rëndësinë e peshën që informacioni ka në botën e sotme globale. Një kulturë e tillë ndihmon konsumatorët, prodhuesit dhe investuesit të marrin vendime të goditura financiare dhe, por edhe Bankën Qendrore të arrijë më lehtë objektivin e saj për arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
“Niveli i edukimit financiar, edukimi i rregullt i qytetarëve ka një ndërlidhje direkte me rritjen e konsumit të shërbimeve financiare, por edhe me sjelljen e vendimeve racionale, të urta dhe të drejta në procesin e blerjes së prodhimeve financiare”, thotë Klime Popovski, kryetar i Këshillit të ekspertëve të Agjencisë për Supervizon të Sigurimit.
Sikundër dihet, Banka Popullore e Maqedonisë javë më parë e prezantoi publikimin “Menaxhimi i mençur me të hollat-udhëzues për financat personale”. Ky udhëzues është i dedikuar për opinionin më të gjerë, me qëllim që në mënyrë të thjeshtë të shpjegojë konceptet dhe nocionet themelore të fushës së menaxhimit me financat personale. Gjatë përgatitjes së tij është mbajtur llogari që ai të jetë i kuptueshëm edhe për gjeneratat më të reja edhe për personat që nuk kanë arsim formal ekonomik. Doracaku ka për qëllim që popullata të informohet në mënyrën më adekuate sesi të menaxhojë me mjetet financiare që të arrijë qëllimet e dëshiruara. (koha.mk)

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button