Nuk ka haxh pa vaksina!

Nga Bashkësia Fetare Islame thonë se ende nuk i kanë gjitha udhëzimet precize se si do të rrjedh haxhi këtë vit, dhe nuk janë të sigurt nëse sivjet – do të ketë besimtarë nga Maqedonia e Veriut që do të udhëtojnë për në Meke dhe Medine

Xhenur ISENIR

Shkup, 10 prill – Sa festat e ardhshme fetare, por edhe shkuarja tradicionale në haxh, në Meke dhe Medine, do të paraqesin rrezik nga shpërndarja shtesë e virusit në vend, por edhe nga mutacione të ndryshme të Kovid-19, janë pyetjet që këto ditë parashtron opinioni pas ashpërsimit të masave për mbrojtjen e shëndetit publik. Haxhi në Arabinë Saudite vlerësohet si mbledhja më e madhe e njerëzve në botë në të cilën marrin pjesë më shumë se një milion besimtarë. Gjatë kohës së Ramazanit, në Meke kryesisht ka numër të madh të besimtarëve nga Arabia Saudite dhe nga vendet tjera myslimane nëpër botë. Kjo në mënyrë plotësuese mund ta rrezikon shpërndarjen e virusit në vendet amtare pasi të kthehen nga haxhi. Nga Bashkësia Fetare Islame thonë se ende nuk i kanë gjitha udhëzimet precize se si do të rrjedh haxhi këtë vit, dhe nuk janë të sigurt nëse do të ketë besimtarë nga Maqedonia e Veriut që do të udhëtojnë për në Meke dhe Medine.StrugaLajm

“Agjërimi i Ramazanit fillon më 13 prill këtë vit. Pastaj festojmë Fitër Bajramin. Një muaj më vonë festohet Kurban Bajrami. Në atë periudhë tradicionalisht shkohet në haxh. Për momentin nuk kemi informacione precize. Gjithçka do të varet nga gjendja e shpërndarjes së virusit në vend, si dhe nga numri i personave të vaksinuar”, thonë nga BFI. Vendimin se kusht për pjesëmarrje në haxh do të jetë vërtetimi për vaksinën e marrë kundër Kovid-19, Ministria e Shëndetësisë së Arabisë Saudite e konfirmoi përmes një kumtese para dy dite. “Ata persona ndahen në tre kategori, ata që kanë marr dy doza të vaksinave, ata që kanë marr vetëm një dozë, dhe ata që janë shëruar nga koronavirusi”, kumtuan autoritetet e atjeshme.

Ministria saudite për shëndetësi tani për tani nuk sqaron nëse haxhi i sivjetshëm do të jetë i hapur edhe për të huajt ose do të jetë vetëm për qytetarët e Arabisë Saudite. Vitin e kaluar haxhi ndodhi vetëm me 1 mijë haxhinjë, të gjithë nga Arabia. Këtë vit haxhi duhet të ndodhë prej 17 deri më 22 korrik. Haxhi i vogël u ndalua në mars të vitit 2020 për shkak të pandemisë, ndërsa në fillim të tetorit ngadalë u kthye me disa masa për mbrojtje. Haxhi i vogël ose “Umrja”, mund të kryhet gjatë tërë vitit, për dallim nga Haxhi që është një herë në vit. Arabia Saudite e ka filluar vaksinimin më 17 dhjetor, ndërsa deri më tani atje janë regjistruar 377.700 të infektuar, ndërsa 6500 kanë humbur jetën si pasojë e virusit korona. Secili mysliman ka për obligim një herë në jetë ta kryen haxhin në Meke. Mund ta bën më shumë herë, por një herë është e obligueshme për ata që kanë mundësi. Haxhi zgjatë një javë përmes disa ritualeve fetare që kryhen në Meke, ndërsa afro dy milion njerëz vizitojnë qytetin që vlerësohen si kështjellë e Islamit. Për çdo vit më shumë se 800 besimtarë mysliman nga vendi e vizitojnë Arabinë Saudite, që ta fitojnë titullin Haxhi. Në të shumtën e rasteve atje besimtarët e festojnë edhe Kurban Bajramin. Sipas ligjit për bashkësitë fetare, BFI është bashkësia e vetme legjitime që mund të dërgon njerëz në haxh, ndërsa shteti mundet të siguron viza për në Arabinë Saudite, por vetëm në përputhje me bashkësinë fetare. Por duke pasur parasysh gjendjen epidemiologjike në vend dhe imunizimi i ngadalshëm i popullsisë, është vështirë të presim që këtë vit të kryhet rituali i haxhit në Meke nga besimtarët mysliman nga Maqedonia e Veriut.StrugaLajm

BASHKËSITË TË FTOJNË BESIMTARËT PËR VAKSINIM

Kryeministri Zoran Zaev ka takuar dje prijësit fetarë në Maqedoninë e Veriut. Në takimin me drejtorin e Komisionit për marrëdhënie me komunitetet fetare dhe grupeve religjioze, Darijan Sotirovski, me kreun e Kishës Ortodokse Maqedonase, z.z. Stefan, të Bashkësisë Fetare Islame, reisin Shaqir Fetai dhe të Kishës Katolike, Kiro Stojanov është biseduar për masat e ballafaqimit të pandemisë, si dhe për çështje të tjera aktuale të rëndësishme për komunitetet fetare dhe për shtetin. Në takim u tha se duhet të dërgohet apel i përbashkët deri te të gjithë qytetarët, për respektim të masave të miratuara nga Qeveria. Gjithashtu, është shprehur gatishmëri për të ftuar qytetarët për t’u paraqitur për vaksinim kundër Covid-19. “Bashkërisht është konstatuar se në këto momente me të cilat përballet njerëzimi me virusin e paparashikuar, nevojitet mençuri nga ana e besimtarëve, sepse sëmundja nuk njeh religjione dhe kombe. Në takim bashkërisht është vlerësuar se respektimi i masave, varet edhe nga ajo se si qytetarët do t’i kalojnë festat në prag: Pashkët dhe Ramazan Bajramin, kurse është e qartë se ekziston dëshirë te të gjithë për të shënuar festat e mëdha fetare në paqe dhe harmoni dhe bashkë me më të afërmit në familje”, thanë nga Qeveria. 

In : Aktuale

Loading...
loading...