Para fillimit të çdo viti shkollor, banorët shqiptarë të komunës së Çashkës kërkojnë nga shkolla fillore “Todor Janev” që fëmijët e tyre të mund të mësojnë në gjuhën e tyre amtare, ashtu siç ua garanton kushtetuta, në gjuhën shqipe. Për disa vite me radhë kjo çështje nuk gjeti akord mes të gjitha palëve sepse pengesa kryesore janë bordi i shkollës dhe këshilli i prindërve.
Kryetari i kësaj komune Goran Stojanovski, në një prononcim për TV21 u shpreh se ai personalisht është angazhuar për të zgjidhur këtë çështje, por problemi qëndron te kryesia e shkollës të cilët nuk japin miratim.
“Sa i përket kësaj kërkese ne u jemi përgjigjur prindërve. Në këtë shkollë mësohet në maqedonisht dhe për t’u zgjidhur kjo, bordi i shkollës duhet të sjellë vendim se kërkon të ndryshojë statutin që të mësohet edhe në gjuhë tjetër. Pa u realizuar kjo, nuk mund të mësohet edhe në gjuhë tjetër”, tha Goran Stojanovski, kryetar i komunës së Çashkës.
A nuk jeni përpjekur ju të kontaktoni me bordin e shkollës që të zgjidhet kjo çështje.
“Unë kam biseduar me bordin e shkollës, këshilli i prindërve ishte i ftuar para një jave dhe më informuan se jo, dmth kanë marrë qëndrim se nxënësit duhet të mësojnë në gjuhën maqedonase. E njëjta ishte edhe para dy viteve, i tregova edhe ministrit, do të shihem me të pas të hënës dhe të kërkojmë ndonjë zgjidhje”, shtoi Stojanovski.
Kontaktuam edhe me drejtorin e shkollës fillore “Todor Janev” – Goran Andovski. Ai arsyetohet se këta nxënës kanë edhe shkolla tjera në afërsi dhe mund të shkojnë të mësojnë atje, por në shkollën që drejton ai, nuk mund të lejohet ndjekje e mësimit në gjuhë tjetër, pos maqedonishtes. Edhe ai thotë se nuk lejon bordi i shkollës dhe këshilli i prindërve.
“Sipas statutit të shkollës mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe në shkrimin e saj cirilik, argumenti i parë. Argumenti i dytë është se në komunë ka shkollë më të afërt ku mësimi mbahet në gjuhën shqipe dhe sipas ligjit një pjesë e nxënësve mund të mësojnë në komunën fqinje, ajo është komuna e Velesit. Prindi kur e regjistron fëmiun e tij në shkollën tonë nënshkruan deklaratë ku kërkon që fëmiu i tij të mësojë në gjuhën maqedonase”, tha drejtori i shkollës fillore “Todor Janev” – Goran Andovski.
Gazetari: Do të thotë nuk do të lejoni në shkollën tuaj të ndiqet mësim në gjuhën shqipe?
“Nuk jam unë ai që lejon, nuk lejon këshilli i prindërve. Bordi i shkollës dhe këshilli i prindërve nuk lejon”, shtoi Andonovski.
Nga ana tjetër ministri arsimit Jeton Shaqiri ditë më parë u shpreh se ka patur disa takime me kryetarin e komunës Stojanovski dhe po përpiqen që të gjejnë një zgjidhje në interes të banorëve, por pret nga prindërit që të dorëzojnë në ministri kërkesë zyrtare lidhur me këtë çështje. Sipas tij, çdokush ka të drejtë të mësojë në atë gjuhë që dëshiron.
“Disa herë kam takuar kryetarin e komunës dhe po mundohem në fazë diskutimi me atë që ta kuptojë çështjen. Në shkollën fillore në të cilën prindërit shqiptarë kërkojnë mësim në gjuhën shqipe, deri më tash kam kërkuar nga prindërit të dorëzojnë kërkesën deri në ministri, procedurat janë konform ligjit. Duhet dorëzuar në këshillin e komunës së Çashkës për të kaluar kërkesa e tyre për iniciativën e prindërve për të hapur paralelen në gjuhën shqipe. Dhe do të bëjmë maksimumin dhe premtoj që çdo gjë nga ana e ministrisë konform ligjit, leja do të jepet. Bashkë unë dhe kryetari i komunës së Çashkës dhe gjithë banorët atje në kohën në të cilën jetojmë të mos na pengojë se kush në cilën gjuhë dëshiron të mësojë mësimin”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Ndryshe, numri i nxënësve që presin zgjidhje është 72. Se a do t’ia marrë MASH kompetencat komunës nëse nuk rregullohet kjo çështje, mbetet të shihet në ditët në vijim.