Oferta për Qeveri të zgjeruar lëkund shumicën parlamentare

Oferta e kryeministrit Zoran Zaev ndaj opozitës, për formimin e një Qeverie të zgjeruar ka lëkundur përsëri raportet brenda partnerëve të shumicës parlamentare dhe koalicionit aktual në Qeveri. Përveç se mori refuzim dhe kushte të vështira nga opozita, Zaev mori sinjale negative edhe nga partnerët e tij. Pikërisht dy subjekte nga koalicioni “Mundemi” të cilët kohë më parë dolën nga grupi parlamentar, kanë dalë përsëri me deklarata qortuese ndaj partnerit më të madh. Kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov si dhe ai i Partisë Liberaldemokrate, Goran Milevski, edhe pse deputetët e tyre mbështetën votëbesimin e Qeverisë, dje dhe sot kanë dërguar mesazhe që vënë në pikëpyetje bashkëqeverisjen e mëtejshme.

Trajanov ka qenë decid se nuk ka kushte që LSDM dhe VMRO-DPMNE të formojnë Qeveri të përbashkët.

Pavle Trajanov

“As oferta nuk është serioze dhe as përgjigja nuk është e sinqertë. Për këtë shkak, në vend të diskutimeve të panevojshme vlerësojmë se Qeveria duhet të angazhohet të punojë në luftën efikase kundër pandemisë me theks të veçantë furnizimin me vaksina, debllokimin e euro integrimeve, reforma në gjyqësor dhe dekriminalizim, stabilitetin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik”StrugaLajm

Dje, Milevski ishte edhe më i ashpër se Trajanovi sot. Ai e ka hedhur idenë e Qeverisë së zgjeruar me një përgjigje ironike dhe me paralajmërim se ai nuk do të ishte pjesë e një koalicioni të tillë.

Goran MilevskiStrugaLajm

“Nëse duhen le të bashkohen. PLD në dasmë të tillë nuk do të marrë pjesë”

Kundër idesë për koalicion gjithëpërfshirës ka dalë edhe partneri i dytë në koalicionin qeveritar, Bashkimi Demokratik për Integrim. Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, nuk dëshiron të ndajë pushtetin me opozitën duke thënë se roli i opozitës është të jep vërejtje dhe të përparojë demokracinë.

Ndërkaq, partitë në opozitë kanë dalë me qëndrime dhe kushte të ndryshme. VMRO-DPMNE fillimisht tha se janë të gatshëm për të biseduar, me kusht që në krye të Qeverisë së zgjeruar të mos jetë Zoran Zaev por një ekspert i pavarur. Por një ditë më vonë nga kjo parti thanë se nuk pranojnë të jenë pjesë e lojërave që kanë për qëllim të shpëtojnë kriminelët nga drejtësia. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë thënë se do të negocjonin vetëm nëse paraprakisht përmbushen tre kushte, “20 përqindëshi” të zëvendësohet me gjuhën shqipe, të vijë task forcë ndërkombëtare për zbardhjen e rasteve të montuara dhe të miratohet Ligji për Shtetësinë.

In : Aktuale

Loading...
loading...