Ohri, Struga dhe Pogradeci shënojnë Ditën e Liqenit të Ohrit

Tre komunat buzë liqenit – Ohri, Struga dhe Pogradeci – së bashku me shoqatat kombëtare të veteranëve të mbrojtjes dhe sigurisë nga Shqipëria dhe Maqedonia, po e shënojnë Ditën e Liqenit të Ohrit me një sërë manifestimesh. Këto tri komuna fqinje nënshkruan në vitin 2000 një memorandum mirëkuptimi për mbrojtjen e liqenit dhe prej atëherë, çdo vit më 21 qershor, e shënojnë këtë ditë me aktivitete të ndryshme, në mënyrë të alternuar.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve është të rritet ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe të theksohet kujdesi për mbrojtjen e liqenit si nga pala maqedonase, ashtu edhe nga ajo shqiptare. Po ashtu, synohet të theksohet se turizmi në këtë rajon është i bazuar në vlerat endemike dhe në kushtet ekologjike që ofron zona e Ohrit.
Aktivitetet kanë nisur që dje me një ekspozitë fotografike mbi Liqenin e Ohrit, ndërsa sot vazhdojnë me një aksion ekologjik, prezantim të pajisjeve të zhytjes, ekspozitë fotografike nënujore, regatën “Së bashku për të ardhmen e liqenit” dhe lexim poetik “Dëgjoje liqenin”, me poetë nga Ohri, Pogradeci dhe Struga.
Sot, në mesditë, do të mbahet festivali muzikor “Balkan Music Square”, me pjesëmarrjen e Damjan Pejçinoskit, Nikollçe Micevskit, grupit “Lubojna” dhe Alba Dajlanit nga Shqipëria.