Ohri,nuk e do deponinë e Strugës!
Kryetari i Ohrit shton se Komuna e Strugës duhet të mendojë për lokacione të tjera pas idesë që deponia e Strugës të dislokohet në Bukovo, pasi duhet parë dhe studiuar mirë kapacitetet dhe qëndrueshmëria e këtij vendimi. ”Nuk do të shpejtohemi me vendim për këtë çështje”, ka thënë ai. Komuna e Strugës është përqendruar në gjetjen e një zgjidhje afatshkurtre për dislokimin e deponisë së qytetit nga lokacioni ekzistues dhe konservimin i saj pas zjarrit që përfshiu këtë të fundit, gjë që solli ndotje në masë të ajrit dhe një reagim të fortë të qytetarëve. Për këtë çështje kryetari Komunës së Strugës, Mustafa Zabzuni, për gazetën KOHA deklaroi se një nga opsionet afatshkurtra është propozimi që Komuna e Strugës t’i ofrojë asaj të Ohrit që mbetjet e Strugës të hidhen në deponinë e Ohrit, ndërkohë mbetjet e inerteve të Ohrit të hidhen në deponinë e licencuar për hedhjen e inerteve që ndodhet në Belicë të Poshtme në Strugë. Ky propozim, saktësoi atëherë Zabzuni, do t’i ofrohet Komunës së Ohrit dhe në rast se i njëjti pranohet brenda një harku kohor të shkurtër, deponia ekzistuese të mbyllet dhe e njëjta të konservohet. (KOHA/Strugalajm.com)