Ose gjuha shqipe, ose votëbesim për Zaevin!

Draft-ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, edhe përskaj premtimeve të partive shqiptare se do të jetë ndër të parët që do të miratohet në Parlament, pas formimit të Qeverisë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë nga shkaku se LSDM nuk e ka në prioritet në pakon e ligjeve prioritare që prekin procesin euruointegrues të vendit. Nga burime të sigurta partiake, gazeta KOHA merr vesh se LSDM po tenton të shtyjë miratimin e Ligjit për gjuhën shqipe deri në mbarim të zgjedhjeve lokale, me qëllim për të mos i dhënë shkas VMRO-së të kritikojë kryeministrin Zoran Zaev se ka instaluar dygjuhësinë në Maqedoni. Megjithatë, ky tentim nuk do të jetë i lehtë për LSDM-në. Zyrtarë të lartë partiak të BDI-së i thanë të mërkurën gazetës KOHA se kjo parti do të kërkojë votëbesimin e Qeverisë nëse tre javë pas vizitës së eurokomisarit Johanes Han, draft-ligji për përdorimin e gjuhës shqipe nuk vjen si propozim në Parlament. “Ditën që do të vjen komisari Han, lideri Ali Ahmeti do ti thotë atij se mund të presin një javë, dy javë, tre javë… por asnjë ditë më shumë që draft-ligji për të cilin janë marrë vesh me LSDM-në, duke i mundësuar Zaevit marrjen e mandatit dhe krijimin e Qeverise, të vijë nga Qeveria si propozim në Parlament. Në të kundërtën, është e sigurt se BDI do të kërkojë votëbesimin e Qeverisë së re. Kjo nuk është presion, por është kushti kryesor që BDI ka bërë të mundur që LSDM të vijë në pushtet dhe ai kusht duhet të realizohet sa më shpejtë të jetë e mundur”, thanë për gazetën KOHA zyrtarë të lartë të partisë së Ahmetit. Ata kujtojnë LSDM-në se BDI ka kontribuar mjaft dhe ka pritur gjatë që nga koha kur u lidh Marrëveshja e Përzhinos, ndërsa zotohen se kësaj radhe, nuk do të lëshojnë pe për shqipen.

BDI: GJATË KEMI PRITUR, SHQIPJA PARA ZGJEDHJEVE LOKALE

“Kemi informata se Zaevi mund të pres mbarimin e zgjedhjeve lokale që më pas të veprojë me gjuhën shqipe, por BDI-së nuk i interesojnë kalkulimet e LSDM-së në elektorat, por i intereson që të realizojë programin e vet për të cilën e kanë votuar qytetarët shqiptarë. BDI ka kontribuar mjaft dhe ka pritur gjatë që nga koha kur u lidh Marrëveshja e Përzhinos, dhe nuk është në tagrin e kësaj partie të humb kohë për dygjuhësinë”, shprehen zyrtarë të lartë të BDI-së që për momentin, duan të mbeten anonim, sidomos para vizitës së Hanit në Shkup, ndërsa shtojnë se do të ketë shumë shpejtë dhe qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje. Gazeta KOHA bëri përpjekje të marrë prononcim nga struktura e re udhëheqëse e LSDM-së, ku njëri ndër tre zyrtarë më të lartë partiak që dolën nga Kongresi i fundit zgjedhor, pranoi të deklarohet për dygjuhësinë, por pa emër dhe mbiemër – gjithmonë me arsyetimin se do të ketë qëndrim zyrtar nga partia. Ai konfirmoi për gazetën KOHA se në Kryesinë e ngushtë partiake është diskutuar pako e re e ligjeve prioritare që prekin reformat në vend, por jo edhe për gjuhën shqipe. Por kjo, sipas tij, nuk do të thotë se LSDM ka hequr dorë prej marrëveshjes që lidhur më herët me BDI-në. Zyrtarë i lartë i LSDM-së thekson faktin se për gjuhën shqipe duhet parë agjendën kohore të liderëve partiak Ahmeti dhe Zaev. “Të them të drejtën, në parti, d.m.th si udhëheqje e re kemi diskutuar për pakon e ligjeve që prekin reformat prioritare, por nuk kemi folur për gjuhën shqipe. Por kjo nuk do të thotë se ne kemi hequr dorë nga ajo që jemi marrë vesh me BDI-në dhe ASH se do të ketë avancim të gjuhës shqipe. Për këtë punë mendoj së duhet të flasin vetë liderët e dy partive Ahmeti dhe Zaev, pra duhet parë agjendën kohore personale kur duhet të diskutojnë për gjuhë shqipe, tjetër kush nuk mendoj se duhet të flasë për këtë çështje para kohe”, thotë njëri nga tre zyrtarët më të lartë të LSDM-së.StrugaLajmStrugaLajm

Ndërkaq sa i përket zërave se LSDM do të pres zgjedhjet lokale dhe më pas të sjellë Ligj për gjuhën shqipe, zyrtar i lartë i LSDM-së shprehet se për momentin – nuk mund të thotë asgjë nëse do të presin zgjedhje lokalet. Por ai, në këtë pikë përmend faktin se kryeministri Zaev i ka garantuar presidentit ruajtjen e unitaritetin të shtetit dhe se çdo gjë që i përket marrëveshjes me partnerin shqiptarë, do të realizohet në kohën e duhur dhe në rrethanat e duhura. “Unë nuk mund të them tani se do të presim zgjedhjet lokale. E kuptoj se edhe ne, si LSDM, po të miratonim Ligjin për gjuhën shqipe, nuk do të pritej mirë në elektoratin tonë, por edhe po të mos miratohet para zgjedhjeve lokale, kjo nuk i shkon në favor BDI-së. Mendoj se këtu duhet të gjendet zgjidhja në kohën e duhur dhe kur të jenë krijuar rrethanat e duhura, por ajo që mund të them është se LSDM është pro avancimit të gjuhës shqipe. Këtë e keni të sigurt dhe do të punojmë në këtë drejtim. Nuk është rastësi që ne kemi nënkryetar shqiptar dhe shumë të tjerë në struktura partiake”, theksoi për gazetën KOHA zyrtari i lartë i LSDM-së.StrugaLajm

IBRAHIMI: MASHTRUES JANË EDHE LSDM EDHE BDI

Ndryshe, nga Lëvizja BESA, nënkryetari i saj Zeqirija Ibrahimi është kritik ndaj qasjes së shumicës qeverisëse ndaj gjuhës shqipe, madje duke i akuzuar për mashtrim të dyja partitë – LSDM dhe BDI-në. “Fakti që gjuha shqipe nuk është në agjendën e miratimit të 30 ligjeve me prioritet të Qeverisë, flet për qasjen që ka shumica parlamentare ndaj çështjes më të rëndësishme në Maqedoni – përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Këtu nuk është mashtruese vetëm LSDM, por edhe partnerët e saj shqiptarë në Qeveri që thoshin më parë se nuk do të futeshin në Qeveri pa zgjidhjen e çështjes së gjuhës shqipe”, tha për gazetën KOHA, Zeqirja Ibrahimi. Ne emër të Lëvizjes BESA , Ibrahimi thotë se nuk do të heqin dorë nga zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe. “Lëvizja BESA në asnjë moment nuk do të heq dorë së punuari që gjuha shqipe të bëhet gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni”, theksoi Ibrahimi. Ndërkaq, deputetë të VMRO-së thonë se në rast të propozimit të Qeverisë, do ta shqyrtojë me seriozitet draft-ligjin dhe ku duhet të përkrahet – do ta bëjnë atë, ndërsa ku mendojnë se është në kundërshtim me Kushtetutën, nuk do ta bëjnë. “LSDM dhe BDI kanë pasur marrëveshje për një draft, për të cilin nuk dimë asgjë. Edhe ne kemi diskutuar me BDI-në për gjuhën shqipe dhe kemi përkrahur avancimin e saj, por për LSDM-në se çfarë kanë pranuar – nuk e dimë as ne e as opinioni i gjerë. Nëse propozimi vjen në Parlament, ne do ta shqyrtojmë me seriozitetin më të madh, dhe në pikat që ia vlen të përkrahet – do ta bëjmë atë, por nëse ka nen që ne vlerësojmë se është në kundërshtim me rendin kushtetues, atëherë nuk do t’i përkrahim”, thotë për gazetën KOHA Dimitar Stefanaxhija, deputet i VMRO-së. Ndërkohë, burime qeveritare të gazetës KOHA thonë se “në Qeveri, joformalisht është rënë dakord që për gjuhën shqipe të ketë grup punues ndërministror, por se ku do të formohet ky grup, nuk mund ta themi për momentin”. Ndryshe, kryetari i LR-PDSH-së, Zijadin Sela, kohë më parë tha për gazetën KOHA si ai është në Qeveri për të avancuar çështjen shqiptare dhe nëse kjo nuk bëhet – nuk e bënë hesap daljen nga Qeveri. “Unë jam këtu për të avancuar çështjen shqiptare jo për tjetër, se më mirë do kisha ndenjur në opozitë. Nëse nuk ka avancim, nuk e bëj hesap shumë daljen nga Qeveria”, kështu i tha gazetës KOHA ditë më parë kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela, kur u pyet se kur do të vijë Ligji për gjuhën shqipe në Parlament. Ndërkaq, edhe zëdhënësi i LR-PDSH-së, Flakron Bexheti thekson faktin se partia e tij mund ta shqyrtojë pozicionin në Qeveri nëse brenda 100 ditëve nuk sillet Ligji për gjuhën shqipe. “Qëndrimi ynë është se ky Ligj duhet të votohet në 100 ditëshin e parë të qeverisjes, dhe shpresojmë se ashtu do të ndodh. Nëse nuk ka gatishmëri – ne gjithsesi do të duhet të analizojmë dhe rishikojmë pozicionimin tonë në Qeveri”, theksoi Bexheti.

In : Aktuale

Loading...
loading...