Osmani: Izeti me pyetjen publike e zbuloi pozitën nënshtruese ndaj Mickoskit

Pyetja publike e Izet Mexhitit drejtuar krerëve të BDI-së vetëm se dëshmon se ata, të qenurit në Qeveri e shohin si mëshirë e kryeministrit ndaj tyre, vlerëson kandidati i AKI-së për Çairin, Bujar Osmani. Kjo, sipas Osmanit, është një sinjal alarmi për çdo shqiptar që jeton në Maqedoni të Veriut, ndërsa shpërfaq inferioritetin e VLEN-it në raport me Mickoskin dhe VMRO-DPMNE-në.
“Ajo që e tha kundërkandidati im është seriozisht trishtuese, ata treguan dhe tash ne e kuptojmë në fakt përse ata nuk e kundërshtojnë kryeministrin. Tash ne e kuptojmë në fakt se përse ata nuk e kundërshtojnë kryeministrin kur ai i ofendon, si i tha atij deputetit të Tetovës ‘kush është ai nuk ka asnjë peshe’, dhe pastaj ai deputeti doli dhe i kërkoi falje. Për shkak se ata raportin me partnerin e Qeverisë, e shohin si raport të mëshirës, a na merr apo nuk na merr?”, theksoi Osmani. Sipas tij, ky është nënçmimi më i madh që i bëhet popullit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, pasi sipas tij, faktori politik shqiptarë duhet të përfaqësoj vullnetin e shqiptarëve, e jo dëshirat personale të kryeministrit.
“Ne sovranitetin vlerësojmë se e ka populli. Kur populli ta jep vullnetin për ti përfaqësuar ata, mua fare nuk më intereson se kush është në anën tjetër të tavolinës, unë hyjë aty për shkak se populli më ka votuar, jo për shkak se më do Mickoski”, theksoi Osmani. Ai shtoi se shqiptarët nuk duhet të guxojnë të thyejnë vetëbesimin e tyre.
“Nuk guxojmë ne si popull ta trajtojmë veten sikur jemi në lëmoshë të dikujt, nuk ka ai çfarë të më jep, për shkak se nuk është asgjë e tij që nuk është e imja, ose bashkëqeverisim këtë shtet në bazë të vullnetit të qytetarëve ose ndryshe nuk bëhet”, theksoi Osmani. Ai edhe njëherë e përsëriti qëndrimin e tij se këto zgjedhje janë betejë mes dy koncepteve.
“A je zot shtëpie dhe e ndjen veten zot shtëpie pavarësisht se çka mendon Mickoski për ty apo je një qiraxhi, i cili pret që pronari i shtëpisë a po të lavdëron se ti nuk i ke thënë ndonjë fjalë të keqe. Unë mendoj që kjo fjali e kundërkandidatit tim do ti mbetet si peng apo njollë në karrierën e tij politike, për shkak se me vetëdije apo pa vetëdije e tregoi se si e sheh ai raportin e popujve këtu në Maqedoninë e Veriut”, theksoi në fund Osmani.
Përndryshe Mexhiti dje e sfidoi publikisht Osmanin dhe kreun e BDI-së, Ali Ahmetin të përgjigjen nëse do të vazhdojnë të kërkojnë marrëveshje koalicionimi me VMRO-DPMNE-në dhe Hristijan Mickoskin, të cilin e quajnë albanofob.




























