Paga minimale, Maqedonia e fundit në rajon

Paga mujore minimale në Maqedoni është e më e ulëta në rajon dhe gjithashtu është e barabartë me mëditjen ditore që e fitojnë punëtorët në shtetet më të zhvilluara ekonomike perëndimore. Gjithashtu, paga minimale prej 10.800 denarë apo prej 164 euro, është tre herë më e vogël se harxhimet mujore të një familje që dëshmon edhe hendekun e madh midis nevojave dhe kërkesave, gjegjësisht të standardit të ulët të punëtorëve në Maqedoni që shumë pak ju paguhet mundi i tyre në raport me kolegët e tyre në perëndim, shkruan gazeta KOHA.
Në ndërkohë, paga minimale është shuma minimale kontraktuale e të hollave, që punëdhënësi duhet të paguajë për orarin me ligj të caktuar gjatë një jave. Nën këtë shumë minimale nuk është e mundur ligjërisht të paguhet paga, në të kundërtën punëdhënësi do të ketë ndëshkime nga inspektimet e autoriteteve shtetërore. Ligji për pagën minimale zbatohet nga një janari i vitit 2012, kur u përcaktua minimumi prej 8050 denarë. Shuma rritet për çdo vit dhe paraqet afër 40 për qind të rrogës bruto mesatare të realizuar në vitin paraprak.
Nga ana tjetër, në fillim të muajit maj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, paralajmëruan rritje për 20 për qind të pagës minimale, përkundër kundërshtimit të opinionit se qeveria teknike nuk mund të vendosë për rritjen e pagave. Nga ana tjetër, nga LSDM kanë premtuar se Qeveria e re do të rrisë pagën minimale në Maqedoni, fillimisht në 12 mijë denarë, ndërsa deri në vitin 2020 ajo do të rritet në 16 mijë denarë.
Në ndërkohë, punëdhënësit dhe analistët ekonomik, vlerësojnë se rrogat si minimale ashtu edhe mesatare, duhet të rriten, por vetëm me kusht shëndoshjes së ekonomisë dhe rritjes ekonomike më të madhe në Maqedoni. “Pagat janë pasqyrë e ekonomisë sonë, gjegjësisht çfarë ekonomie kemi, të tilla janë edhe pagat që vështirë se mund të rriten dukshëm, nëse nuk kemi rritje më të madhe ekonomike, hapje të vendeve të reja të punës dhe fitim më të madh të sektorit privat. Nga ana tjetër, ata të punësuar që fitojnë më pak se 20 mijë denarë, punojnë nën dinjitetin material, ndërsa ata që marrin paga nën 12 mijë denarë, punojnë nën dinjitetin etik. Gjithashtu edhe mungesa e vetëdijes së një pjese të punëdhënësve se mundi duhet të paguhet, por edhe mungesa e kuadrit cilësor ndikon në nivelin e pagave”, vlerëson konsulenti i biznesit, Goran Rafajllovski.
Sipas tij, Maqedonia e ka humbur që moti kuadrin cilësor të punës, për çka nuk e kanë fajin punëdhënësit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e kuadrit pak e njeh punën, përkundër stazhit të madh në profesion të caktuar. Si shtet jemi shumë larg teknologjive të reja dhe hapësirës së vërtetë të zanatit, që të mund firmat në punën e tyre të mbështeten në numrin e caktuar të punëtorëve që edhe do të shpërblehen në raport me shkathtësitë dhe djersën e tyre, shton më tej Rafajllovski. Punëdhënësit vlerësojnë se është vështirë të thuhet pa një analizë dhe vlerësim real se për sa për qind duhet të rritet paga minimale në të ardhmen. Sipas numrit një të punëdhënësve në Maqedoni, Angel Dimitrov, duhet të gjendet një zgjidhje që do të sjellë paga më të larta minimale, por njëherazi të mos shkaktojë lëshim të punëtorëve nga puna si rrjedhojë e rritjes së harxhimeve. “Nëse rritet paga minimale, ndoshta do të ishte e pranueshme për ne kjo të jetë për 15 për qind, por vetëm me kusht që të mbeten të pandryshuara dispozitat e pagës minimale, norma e punës prej 100 për qind dhe fondi i plotë i orëve të punës”, thotë për KOHA, Angel Dimitrov, nga Organizata e punëdhënësve të Maqedonisë. Ekonomistët vlerësojnë se edhe fuqia punëtore në Maqedoni dhe rajon duhet të rikualifikohet, të investojë në vetveten, me çka do të ketë më shumë hapësirë që të gjendet në tregun e punës dhe më lehtë të gjejë një vend pune të paguar më mirë.
Nga ana tjetër, në Shqipëri prej muajit maj rritet paga minimale me 13.7 për qind, pra nga 22,000 lekë në 24,000 lekë apo 178 euro. Në janar të vitit 2015, paga minimale në Shqipëri u rrit nga rreth 19,000 lekë në 22,000 lekë, sikundër është në fuqi edhe sot. Në Kosovë janë në fuqi dy lloj pagash minimale: deri në moshën 35 vjet lejohet që paga minimale të jetë 130 euro, ndërsa mbi këtë moshë të mos jetë nën 170 euro. Në Mal të Zi pagën minimale prej 193 euro si shumë në vitin e kaluar e kanë pranuar 17.000 të punësuar, tregojnë të dhënat e autoriteteve malazeze të tatimeve. Në Mal të Zi ka 183.000 të punësuar, që do të thotë se më shumë se nëntë për qind janë të siguruar në pagën minimale. Paga minimale në BE lëviz prej 235 euro në Bullgari deri në 1998 euro në Luksemburg.

PAGA MINIMALE NË BE DHE RAJON
Maqedonia -164 euro
Shqipëria – 178 euro
Serbia -185 euro
Mali i Zi – 193 euro
Bullgaria – 235 euro
Rumania – 321 euro
Kroacia – 437 euro
Greqia – 586 euro
Sllovenia – 805 euro
Belgjika – 1534 euro
Gjermania – 8.84 euro për orë pune
Franca – 1480 euro
Luksemburgu – 1998 euro
Burimi: Eurofound dhe statistikat nacionaleStrugaLajmStrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...