Aktuale

Panteoni i Lavdisë Kombëtare: Tafil Buzi”.


Sot, nën hijen e Kalasë madhështore me bedenat krenare të Ali Pashë Tepelenës, Shoqata “Tafil Buzi”, organizoi një aktivitet përkujtimor të një rëndësie të jashtëzakonshme, ku u përurua busti i Heroit Kombëtar Tafil Buzi. Ky event solemn, i mbushur me emocione dhe krenari, na mblodhi të bashkë me një pjesëmarrje të gjerë personalitetesh të jetës politike, shoqërore, shkencore, fetare dhe kulturore të vendit. Të ftuar ishin Deputetë të Kuvendit, ish-deputetë, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Kryetarët e Bashkive Tepelenë dhe Memaliaj, drejtues institucionesh dhe studiues të shquar, dhanë peshën dhe respektin e tyre në këtë ditë të shënuar.
Kumtesat shkencore ndriçuan figurën e Tafil Buzit si udhëheqës popullor, strateg i shquar dhe simbol i rezistencës kombëtare, ndërsa fjalët e profesorëve dhe rektorëve të universiteteve të jugut sollën dimensione të reja mbi madhështinë e tij historike. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Dede Edmond Brahimaj, së bashku me klerikë të tjerë si Baba Ardit Selmani i Gjyshatës Elbasan, me solemnitet dhe krenari shpirtërore, bekuan me fjalët e tyre këtë ditë nderi, duke e ngritur edhe më lart kuptimin e saj.
Prania e personaliteteve të shquara – mes tyre ish-kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, profesorë, poetë dhe krijues – i dhanë eventit gravitet të veçantë. Një nga momentet më prekëse ishte interpretimi mbresëlënës i aktorit të mirënjohur Xhevat Limani, i ardhur posaçërisht nga SHBA dhe i mbështetur nga atdhetari i diasporës z.Eduart Zeneli nga Rabia e Tepelenës, mbi krijimin poetik të Feti Zenelit kushtuar heroit Kombëtar. Ky interpretim u bë si një urë mes vargut, skenës dhe historisë.
Momenti final erdhi me këngët e fuqishme të këngëtarit dhe atdhetarit të Toskërisë, i madhi Ylli Baka, i cili mbylli këtë ditë të paharrueshme me atmosferë festive, gëzim popullor dhe shpirt kombëtar, duke e shndërruar solemnitetin në festë gjithëpërfshirëse.
Përshëndetjet e veçanta nga drejtues vendorë – ish-kryetari i Bashkisë Tepelenë Tërmet Peçi, Kryetarja në detyrë znj. Krateri, Kryetari i Bashkisë Memaliaj z. Albert Malaj – si dhe fjala e z. Bashkim Brahimi në emër të Shoqatës “Tafil Buzi”, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës “Tafil Buzi”, etj, jehuan si shprehje mirënjohjeje dhe respekti për figurën e heroit. Ndërkohë, kumtesa e Prof. Dr. Pëllumb Xhufit i dha një tjetër dimension të ri portretit të Tafil Buzit, duke e rreshtuar atë në mesin e personaliteteve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit.
Grupet polifonike labe, me tingujt e tyre të lashtë e të fuqishëm, sollën ngjyrën e shpirtit të Labërisë dhe e rreshtuan Tafil Buzin krah për krah me gjigantët e historisë sonë – Ali Pashë Tepelenën, Lord Byronin, Mustafa Matohitin dhe Petrit Rukën – duke e bërë këtë përurim një kurorë krenarie mbi kalanë e lavdishme të Tepelenës.
Ky përurim nuk ishte thjesht një event kulturor, por një akt solemn kujtese e nderimi, një manifestim i shpirtit kombëtar dhe një thirrje e fuqishme për brezat e ardhshëm: që figura e Tafil Buzit të jetojë përgjithmonë si frymëzim i pavdekshëm i trimërisë, mençurisë dhe atdhedashurisë shqiptare.
Dhe sot, zëri i Labërisë u ngrit sërish nga vargjet, nga këngët, nga bekimet e klerikëve dhe nga kumtet e dijetarëve, duke shpallur me krenari se Tafil Buzi është jo vetëm bir i kësaj toke, por edhe shtyllë e pavdekshme e kombit shqiptar. Nën hijen e kalasë, me jehonën e polifonisë dhe me frymën e brezave, emri i tij rreshtohet në Panteonin e Lavdisë Kombëtare – aty ku rrinë vetëm të pavdekshmit.”

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button