Paralajmërohet shtrenjtimi i bukës ?!

Mullisët kanë paralajmëruar se mund të shtrenjtojnë çmimin e bukën, ndërkohë që përfaqësuesit e bujqve vlerësojnë se përllogaritjet për një shtrenjtim eventual të bukës nuk duhet ti bëjnë vetëm mullinjtë, por të gjithë pjesëmarrësit në procesin e prodhimit të bukës nga fillimi deri në fund

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 13 janar – Mullisët kanë paralajmëruar se mund të shtrenjtojnë çmimin e bukës. Arsyetimet janë se gruri si prodhim që shitet në bursat botërore, është shtrenjtuar nga 140 euro për një tonë në 190 deri 210 euro për një ton. Arsye tjetër përmendet edhe ulja e konsumit e shkaktuar nga ndalesat për punë të objekteve hotelerike dhe mbyllja e objekteve shkollore. Mirëpo, nga ana tjetër, prodhuesit e grurit në vend thonë se një rritje eventuale e çmimeve të bukës duhet ti nënshtrohet një analizë të thellë dhe serioze që të shikohet kostoja e një buke që nga harxhimet e prodhimit të grurit, të mullinjve dhe në fund – të vetë furrave të bukës. Përfaqësuesit e mullinjve pohojnë se ju është rritur kostoja e punës, ndërsa ky sektor ankohet se po shënon edhe humbje. “Duke marrë parasysh situatën me pandeminë dhe paqartësitë që sjell ajo, nuk përjashtohet as mundësia e rritjes së çmimeve të bukës. Mirëpo, kjo varet edhe nga më shumë tregues siç janë çmimet importuese të grurit”, thotë Goran Malishiq, kryetar i Grupacionit të industrisë së mullisëve dhe furrave të bukës.

StrugaLajm

StrugaLajm

Sipas tij, për tejkalimin e situatës dhe problemeve – do të kërkojnë ndihmë edhe nga Qeveria si pagesa e subvencioneve për vitin e kaluar si dhe realizimin e një plani për kthimin e prodhimit të grurit vendor. Nga ky grupacion që vepron në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë, kërkojnë edhe kontroll më të madh përgjatë importit të miellit të lirë serb. Mullisët njëherësh ankohen se kanë vështirësi të mëdha në punën e tyre në fillim të korrjeve të vitit 2021 dhe nuk do të kenë mundësi të blejnë grurë. Bile shtojnë se nga fillimi i pandemisë janë mbyllur dy mulli prej të cilëve njëri ka qenë i treti sipas madhësisë në tregun vendor. Nga grupacioni i industrisë së miellit dhe bukës, thonë se ju është përgjysmuar puna, ku prej 70 mullinjve në vend, punojnë vetëm 9, ndërsa edhe ato prej 35-50 për qind të kapaciteteve tani punojnë me kapacitete prej 20 për qind si rrjedhojë e uljes së konsumit të miellit dhe konkurrencës nga Serbia. Ankohen edhe për uljen e konsumit të prodhimeve të miellit dhe parorive të bardha si rrjedhojë e mbylljes së shkollave dhe fakulteteve. Në ndërkohë, kostoja e grurit të importuar nga Serbia është 13.5 denarë, ndërsa ky çmim në muajt e kaluar ka lëvizur edhe në 12 dhe 14.5 denarë. Ndërsa nga ana tjetër, gruri vendor është blerë me një çmim prej 10-11 denarësh.

Megjithatë, përfaqësuesit e bujqve në vend vlerësojnë se përllogaritjet për një shtrenjtim eventual të bukës nuk duhet ti bëjnë vetëm mullinjtë, por të gjithë pjesëmarrësit në procesin e prodhimit të bukës nga fillimi deri në fund. “Realisht me një çmim të shitblerjes së grurit prej 15 denarë nuk ka gjasa reale që të shtrenjtohet buka. Gjithashtu, nevojitet që kostoja e prodhimit të bukës të ndahet në tre pjesë dhe të bëhet përllogaritja se sa kushton gruri, mielli dhe buka. Pra të tre palët me ndërhyrjen e shtetit duhet të tregojnë matematikat e sakta që në fund të del çmimi real i bukës”, thotë anëtari i Këshillit Drejtues të Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Memet Sinani. Sipas tij, në këtë përllogaritje duhet marrë parasysh edhe faktin se prej bluarjes së 100 kilogram gruri, fitohen 70-80 kg miell, ndërsa edhe pjesa tjetër e mbetur shiten si krunde me çmime shumë të leverdishme.

“Në këto llogaritje ku duhet të mbeten të kënaqura të gjitha palët, duhet të kemi parasysh se prej 1 kg miell së bashku me ujin – fitohet 1370 kg bukë, apo me fjalë të tjera – prej 1 kg miell fitohen tre bukë. Problemi tjetër që duhet të zgjidhet është edhe shpërndarja e subvencioneve për fermerët që prodhojnë grurin sipas kilogramit të grurit të dorëzuar në kapacitetet prodhuese dhe jo sipas hektarëve, për shkak së kështu bëhen padrejtësi në rajone të ndryshme prodhuese në shtet”, shton më tej Sinani. Në ndërkohë, në dhjetor të vitit 2018 buka u shtrenjtuar për 10 deri 20 për qind në varësi prej llojeve të bukës, si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të grurit në bursat botërore. Arsyetimet e mullisëve para dy viteve ishin se me një kosto të bukës prej 13-15 denarë nuk mund të përballojnë rritjen e energjenseve si naftës, miellit, grurit. Ankesa ka pasur edhe për mungesën e bukëpjekësve në tregun e punës.

Një nga kërkesat e mullisëve në vitet e kaluara ishte dhe stimulimi i bujqve që të prodhojnë grurë cilësor për bukë dhe të zgjerojnë tokat punuese me grurë. Kjo parashikohej të mbështetet me subvencionimin e fermerëve për kilogram të dorëzuar të grurit në kapacitetet përpunuese apo tek grumbulluesit e licencuar. Kjo sipas mullisëve do të mundësojë që subvencionet të ofrohen sipas cilësisë së grurit si dhe klasifikimin e grurit sipas cilësisë përkundër rajoneve të ndryshme që prodhohet në vend. Në nivel vjetor shteti në periudhën e kaluar ka pasur nevojë për afër 339 mijë tonë grurë, prej të cilave, 280 mijë tonë nevojiten për prodhimin e bukës dhe parodive të bardha, afër 32 mijë tonë nevojiten për materiale të mbjelljes dhe afër 18 mijë tonë shkojnë për rezervat shtetërore. Maqedonia në vitet e kaluara përmbushte nevojat e saja për grurë në mesatare prej 60 për qind , ndërsa pjesa e mbetur importohet nga jashtë. Thënë ndryshe, nga prodhimtaria vendore janë siguruar afër 200 mijë tonë grurë, ndërsa nevojat prej afër 100 mijë tonë të grurit dhe miellit plotësohen me importin nga Serbia, Bullgaria, Kroacia etj.

In : Aktuale

Loading...
loading...