Për 10 vjet, mbi 8 mijë qytetarë nga Maqedonia emigruan në Amerikë

Në vitin 2015 u lëshuan 1.310 viza, ndërsa në vitin 2024 vetëm 573
Numri i vizave emigruese të lëshuara për qytetarët e Maqedonisë së Veriut për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënon rënie të dukshme gjatë dhjetëvjeçarit të fundit.
Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, gjatë vitit 2024 janë lëshuar gjithsej 573 viza emigrimi për shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa një vit më parë, në vitin 2023, ky numër ishte 522.
Në krahasim me këtë periudhë, në vitin 2015 janë lëshuar 1.318 viza të tilla, ndërsa në vitin 2016 madje 1.354 viza emigrimi për qytetarët maqedonas.
Kulmi i dhënies së vizave emigruese në dekadën e fundit është shënuar në vitin 2017, me gjithsej 1.421 viza, ndërsa numri më i ulët është regjistruar në vitin 2020, vetëm 225 viza, si pasojë e pandemisë së COVID-19.
Në total, gjatë periudhës 2015–2024, për një dekadë janë lëshuar gjithsej 8.163 viza emigrimi për qytetarët e Maqedonisë së Veriut drejt SHBA-së.
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski, duke komentuar vendimin e SHBA-së për ngrirjen e përkohshme të vizave emigruese për 75 shtete, mes të cilave edhe Maqedonia e Veriut, sqaroi se bëhet fjalë vetëm për viza emigrimi, e jo për viza studimi, turistike apo biznesi. Ai paralajmëroi se në ditët në vijim priten lajme të mira për qytetarët në raport me SHBA-në, të cilën e cilësoi si partner strategjik.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi se procedurat për vizat emigruese janë vendosur në pauzë, por theksoi se kjo nuk ndikon në kategoritë e tjera të vizave për SHBA, si ato për afaristë, studentë apo turistë. Sipas tij, kërkesat për viza emigrimi janë më të pakta dhe kryesisht nga qytetarë të moshës më të shtyrë.
Mucunski po ashtu paralajmëroi zhvillime pozitive në politikën vizore të SHBA-së ndaj vendit, duke theksuar se bëhet fjalë për “mbylljen e çështjeve që për më shumë se 20 vite kanë mbetur të hapura”.




























