
Bazilika e Ladorishtit është objekt shumë i hershëm kishtar i hulumtuar, i restauruar, i konservuar dhe i ruajtur mjaft mirë, dhe se mbi tokë duken pothuajse tërë struktura arkitektonike e saj, ndërkohë që mozaiku ruhet in situ i cili është i mbuluar me rërë. Duke e krahasuar me planet e bazilikave tjera, studiuesit kanë konstatuar se kjo ka plan trinefësh, dhe se është e ngjashme me bazilikat të ndërtuara në gjysmën e dytë të shekullit V dhe fillimin e shekullit VI
Nga Fitni DALIPI, Arkeolog
Lajmin, që para disa ditësh në rrjetet sociale se Bazilikës Paleokrishtere në Ladorisht të Strugës, i është vënë zjarri, ashtu si tërë opinioni dashamirës i trashëgimisë sonë, edhe unë si profesionist i fushës padyshim që e prita me shqetësim dhe pezëm të madh, sepse nuk është ky rasti i parë që po dhunohet ky objekt i kultit me vlera të paçmuara monumentale. Është radha e dytë që në këtë objekt arkeologjik ndodh një gjë e tillë, edhe pse zjarrvënia e vitit 2012 u duk hapur që ishte e qëllimshme dhe me prapavijë nga individë të caktuar, por uroj që kjo e fundit të jetë e pa qëllimshme dhe të mos ketë bë dëm në mozaikun e çmuar që posedon ky objekt. Por, për çudi, si atëherë ashtu edhe kësaj radhe, nga organet kompetente ende nuk kemi njoftime se si ndodhën këto akte piromane dhe se cilët janë aktorët e tyre.
Por ky nuk është rasti i vetëm. Kur bëhet fjalë për Strugën dhe vendbanimet e saj, jemi dëshmitar që në dy dekadat e fundit, në mos edhe ma shumë, është dëshmuar se ka të atillë që nuk duan që të ruhen objektet dhe artefaktet e ndryshme arkeologjike, qofshin ato nga periudha më të lashta të antikitetit, apo ato të më vonshme, siç janë monumentet e kulturës osman siç janë: xhamitë, minaret, hamamet, kullat e sahatit, varret e vjetra etj. Prirja e tyre është rrënimi, shkatërrimi, dhunimi dhe asgjësimi dhe assesi mbrojtja dhe përkujdesja ndaj kësaj trashëgimie kulturore. Kjo do të thotë se, përveç që jemi pa specialist të mjaftueshëm të fushës, dhe se jemi shumë larg institucioneve që merren me përkujdesjen e trashëgimisë, ne si popull na mungon edhe kultura dhe edukata e nevojshme për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Të përkujtojmë edhe njëherë, se Bazilika e Ladorishtit është objekt shumë i hershëm kishtar i hulumtuar, i restauruar, i konservuar dhe i ruajtur mjaft mirë, dhe se mbi tokë duken pothuajse tërë struktura arkitektonike e saj, ndërkohë që mozaiku ruhet in situ i cili është i mbuluar me rërë. Duke e krahasuar me planet e bazilikave tjera, studiuesit kanë konstatuar se kjo ka plan trinefësh, dhe se është e ngjashme me bazilikat të ndërtuara në gjysmën e dytë të shekullit V dhe fillimin e shekullit VI. Gjithashtu, duhet theksuar se kjo bazilikë paleokristiane është ndërtuar mbi themelet e objekteve më të hershme të periudhës romake. Këto të dhëna, ashtu si edhe ekzistimi i vetë bazilikës, flasin se bëhet fjalë për një trashëgimi me taban ilir dhe arbëror.
Por për fat të keq, këto fakte historike, dhe për më tepër, e vërteta që kemi të bëjmë me një objekt kulti që i ka shërbyer popullatës vendase para ardhjes së sallave në pellgun e liqenit të Ohrit, qarqeve të caktuara, nuk u bënë përshtypje fare, mbase edhe u pengon, ndaj, ato janë të prirë që të asgjësojnë gjithçka që lidhet me trashëgiminë që përbënë “tapinë” e trojeve tona.
Prandaj, kur është fjala te Bazilika e Ladorishtit, mbështes plotësisht reagimin e fuqishëm të diasporës ladorishtare ndaj akteve vandale, pasi janë ato që së bashku me kryetarin e bashkësisë lokale z. Xhevdet Dautin, para shumë vitesh lidhen Bazilikën me rrugën kryesore, pastruan krejt mbeturinat jashtë mureve të saj, hapën vend parkime rreth objektit. Është po ai z. Dauti, i vetmi i cili gjithmonë në konsultim me njerëzit e kësaj fushe, disa herë ka shkuar në Muzeun e Strugës, deri sa edhe në Qeverinë e RMV-së, për të kërkuar kujdes më të madh për këtë objekt të rëndësishëm kulturor. Gjithashtu, ai ka kërkuar punësimin e një personi që do të përkujdesej për këtë monument, por zëri i tij ka hasur gjithmonë në vesh të shurdhër edhe atëherë kur ky institucion është udhëhequr nga kuadër shqiptar (kuptohet ushtar të ndonjë subjekti politik, pasi që asnjëri nga prej tyre, nuk ka qenë me profesion adekuat për të menaxhuar një institucion të tillë trashëgimie).
Janë kohë të shkuara ato kur, Bazilika e Ladorishtit, mirëmbahej me zell nga punëtorja tanimë në pension, zonja Firdese (Deska) Shemo. Se si dukej Bazilika në fjalë dhe ambienti rreth saj asokohe, më së mirë flet fotoja që të kujton parqet arkeologjike të shteteve të perëndimit! Për këtë asaj zonje i takon një mirënjohje me respekt dhe shëndet për gjithë mundin që ka dhënë, kurse neve të na shërbejë si shembull se si duhet të përkujdesur për trashëgiminë kulturore.

Sokrati kishte thënë “Një jetë e pa ekzaminuar nuk i’a vlen të jetohet”. Përkthyer me fjalë popullore kjo do të thotë se, dikush trashëgiminë kulturore e trashëgon se e ka të tijën, por nuk ia di vlerën dhe nuk e mbron por mundohet ta shkatërrojë dhe asgjësojë, ndërsa, dikush tjetër edhe kur nuk e ka të vetën, e përvetëson të huajën, kujdeset më së miri për te dhe e mbron atë me fanatizëm.
Për fat të keq, kur është fjala për trashëgimin, ashtu si edhe për shumë çka tjetër, na si popull në masë të madhe kemi një defekt të madh, sepse, ndryshe mendojmë, ndryshe flasim, dhe krejt ndryshe veprojmë! Kështu siç e jeni si popull, ashtu e kemi politikën, fenë dhe tërë shoqërinë. Por, megjithatë, si përfundim do të shtoja se, mbrojtja e trashëgimisë kulturore është detyrë e rëndësishme për të ruajtur historinë, kulturën dhe identitetin e një kombi. Ndaj dhe kjo kërkon përpjekje të përbashkëta nga institucionet shtetërore, organizatat ndërkombëtare dhe vetë komuniteti që e trashëgon këtë pasuri.