Aktuale

Për herë të parë në vend: I dënuari nga Struga zëvendëson burgun me arrest shtëpiak me byzylyk


Një i dënuar nga Struga pjesën e mbetur të dënimit me burg do ta vuajë në arrest shtëpiak me mbikëqyrje elektronike, në një nga rastet e rralla në vend dhe për herë të parë kur një dënim i nisur në burg zëvendësohet me arrest shtëpiak me byzylyk elektronik.
Nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve bëhet e ditur se bëhet fjalë për një person me probleme serioze shëndetësore, për të cilin qëndrimi në institucionin korrektues paraqiste vështirësi shtesë.
Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Strugë, ndërsa pjesa e pavuajtur e dënimit, në kohëzgjatje prej 11 muajsh e 28 ditësh, do të kryhet në shtëpinë e të dënuarit nën mbikëqyrje të vazhdueshme elektronike. Atij tashmë i është vendosur byzylyku elektronik në kyçin e këmbës, ndërsa nëse nuk respekton kufizimet dhe udhëzimet për përdorimin e pajisjes, shërbimi i provës do ta njoftojë gjykatën sipas Ligjit për Probacion.
Sipas autoriteteve, ky është rasti i parë në vend kur një i dënuar që tashmë ka qenë në burg merr zëvendësim të pjesës së mbetur të dënimit me arrest shtëpiak nën mbikëqyrje elektronike. Rasti i parë i këtij lloji ishte vitin e kaluar, kur Gjykata Themelore në Veles shqiptoi tre muaj arrest shtëpiak për një person të moshuar dhe të sëmurë.
Zbatimi i kësaj mase do të monitorohet nga Zyra e Probacionit për rajonin e Gjykatës Themelore në Ohër, në koordinim me institucionet përkatëse, ndërsa sektori për mbikëqyrje elektronike do ta ndjekë rastin 24 orë në ditë.
Autoritetet vlerësojnë se ky model është më ekonomik për shtetin dhe më human, sidomos në rastet kur mosha dhe gjendja shëndetësore e të dënuarit e bëjnë të vështirë qëndrimin në burg.
Ky rast hap sërish debatin nëse gjykatat do të fillojnë ta përdorin më shpesh mbikëqyrjen elektronike, veçanërisht për persona me gjendje të rëndë shëndetësore, kur vuajtja e dënimit në shtëpi nën kontroll mund të jetë zgjidhje më efikase dhe më e qëndrueshme sesa burgu.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button