Për kryetarin do të vendos gjykata!

Palët kanë shkuar aq larg saqë, si dikur mes BESËS së Bilall Kasamit dhe krahut të Afrim Gashit, kur u Lëvizja u nda në dy grupe, do të duhet sërish që Gjykata të vendos se kush e ka autoritetin legjitim për ta drejtuar partinë – Ziadin Sela ose Arben Taravari. Selinë e partisë në Tetovë tashmë e kontrollon Sela, ndërsa vulat e partisë Taravari

Xhenur ISENI

Shkup, 11 shkurt – Nuk ka asnjë dilemë tashmë për ndarjen e thellë të Aleancës për Shqiptarët. Tubime të ndara, akuza dhe kundër-akuza midis grupit të kryetarit të partisë Arben Taravarit dhe grupit të kryetarit të Kuvendit të partisë, Ziadin Sela. Këta të fundit, dje në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, sollën vendim për shkarkimin e Taravarit, ndërkohë që vendimin përfundimtar do ta sjellin në Kongresin e partisë të paralajmëruar më 18 shkurt.

“Me 106 vota PËR, 1 KUNDËR dhe 1 i PËRMBAJTUR, Kuvendi qendror i Aleancës për Shqiptarët ngriti iniciativë për shkarkimin e kryetarit të partisë, Arben Taravari. Arsyeja e shkarkimit të Taravarit është shkelja e rëndë e statutit të partisë nga ana e kryetarit. Taravari ka qenë i ftuar në mbledhjen e këtij Kuvendi qendror, e kemi pritur të vijë, mirëpo nuk u paraqit”, tha Sela. I pyetur për një rikthim eventual në krye të partisë, Sela thotë se kjo nuk është dëshirë personale e tij dhe për këtë vendosë kongresi i partisë.  “E udhës do të ishte që të mos na përsëritet situata e sotme ku kryetari i partisë mungoi në Kuvend dhe e udhës është që të vijë në Kongres, dhe aty të zgjidhen këto çështje, dhe të mos kemi nevojë të shkojmë në gjykatë”, porositi Sela, duke e akuzuar krahun e Taravarit për bashkëpunim me VMRO-në e Mickoskit.

“Edhe subjekte tjera nga jashtë janë përfshirë në këtë që po ndodhë. Dëshmi më të mirë për këtë e keni deklaratën e kryetarit të VMRO-DPMNE-së i cili në paraqitje publike diku para dy ose tre javësh, ai deklaron thotë, më dëgjoni mirë, incizoni këto që po them, që VMRO-ja do të shkojë me një pjesë të Aleancës dhe pjesa tjetër e Aleancës që do të ngelet”, tha Sela. “Morëm vendim edhe për thirrjen e kongresit, i cili u thirr nga ana e Kuvendit, më datë 18 ku do të diskutohet vendimi i kuvendit dhe pas kësaj do të marrë formë edhe shkarkimi i kryetarit të ASH-së. U diskutua edhe pika tjetër se si do të shkojmë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por nuk u mor asnjë mendim sepse do të diskutohet në kongres, por me shumë gjasa do të shkojë e vetme”.

E në momentin kur Kuvendi votoi iniciativën për shkarkimin e Taravarit, ky i fundit u paraqit me një status në profilin e tij në Facebook. Thotë se kjo është përpjekje e BDI-së për t’i defokusuar për atë se e kujt është partia.  “Përpjekjet e BDI-së dhe skenaristit Grubi për të na defokusuar tek kinse ‘e kujt është partia’ janë të dështuara. Prej sot nuk merremi më me këtë gjë. Kushdo që ka ankesa le t’i drejtohet Gjykatës”, u përgjigj Taravari, duke shtuar se shumë shpejtë do të finalizohet koalicioni ASH-LEN.

“Dua të flas për ndryshimin, për projektet që kemi për të ardhmen, si koalicion i ardhshëm të cilin aleanca do ta kryej së shpejti dhe besoj se këtë javë do të ulemi dhe me kryetarët që e përfaqësojnë LEN-in sepse jam i autorizuar edhe prej kuvendit dhe prej kryesisë së partisë për t’i vazhduar negociata”, tha Taravari pas tubimit të mbajtur në qytetin e Gostivarit.

Në ndërkohë, duket se dy palët kanë shkuar aq larg saqë, si dikur mes BESËS së Bilall Kasamit dhe krahut të Afrim Gashit, kur u Lëvizja u nda në dy grupe, do të duhet sërish që Gjykata të vendos se kush e ka autoritetin legjitim për ta drejtuar partinë – Ziadin Sela ose Arben Taravari. Selinë e partisë në Tetovë tashmë e kontrollon Sela, ndërsa vulat e partisë Taravari. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...