Aktuale

Për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë Veriore – 2021

PËRFUNDOI REGJISTRIMI I POPULLSISË, POR DILEMAT MBETËN TË HAPURA

Sipas deklaratave për mediet nga drejtuesit e Entit Shtetëror të Statistikave në Shkup, procesi i regjistrimit në vend është përmbyllur me sukses. Ky operacion statistikor është zhvilluar nga data 5-30 shtator 2021. Ky ka qenë regjistrimi tretë me radhë, pas atyre të vitit 1994 dhe 2002, si dhe dy regjistrimeve të dështuara (anuluara), më 1991 dhe 2011.

Sipas të dhënave preliminare nga Enti i Statistikave në Shkup, deri në përfundimin e këtij operacioni statistikor, në orën 20:00, më 30 shtator, kanë arritur të regjistrohen gjithsej 1.836.000 persona, si dhe 204.239 qytetarë të regjistruar në diasporë.

Sipas autoriteteve zyrtare, këto janë shifa zhgënjyese, përderisa në regjistrimin e vitit 2002 në Maqedoninë Veriore ka pasur mbi 2 milionë banorë, kurse sipas të dhënave zyrtare të Entit të Statistikave, në botën e jashtme (mërgatë) ka mbi 400 mijë qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore (sipas institucioneve ndërkombëtare ky numër është afër 640 mijë qytetarë), kurse në këtë regjistrim të popullsisë nuk janë përfshirë as gjysma e tyre (janë regjistruar kryesisht nga shtetet evropiane dhe një numër i vogël në SHBA dhe vende të tjera).

Të dhënat gjatë këtij operacioni statistikor janë siguruar edhe nga terreni edhe me gërshetimin e të dhënave nga institucionet kompetente, të cilat i azhurnojnë të dhënat për qytetarët, pronat e tyre dhe çështje të tjera civile.

Deri në shpalljen e rezultateve zyrtare nga regjistrimi i popullsisë (priten deri në muajin mars të vitit të ardhshëm), mbeten shumë çështje për t’u diskutuar dhe shumë pyetje e dilema, të cilave duhet t’u jepin përgjigje, pushteti, institucionet kompetente dhe ekspertët e fushës përkatëse, të demografisë, statistikës dhe të tjerë.

Në momentin e tanishëm, përderisa vazhdon fushata e zgjedhjeve komunale, që pritet të mbahen gjatë muajit tetor të këtij viti, është tepër e sikletshme që pushteti aktual mund të jep një përgjigje të saktë, tepër të ndjeshme, se cili është kredibliteti i këtyre zgjedhjeve, kur numri i banorëve dhe numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, sipas Listës së përgjithshme të votuesve edhe në këto zgjedhje është i barabartë, përkatësisht, në regjistrimin e sapopërfunduar janë regjistruar gjithsej 1.836.000 persona, kurse në Listën e përgjithshme të votuesve ende figurojnë 1.824.684 qytetarë me të drejtë vote. Kësaj liste duhet t’i shtohet edhe numri i qytetetarëve pa të drejtë vote, të moshës 0 -18 vjet, i cili sillet rreth 400 mijë persona.

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button