AktualeStruge

Për urën e drurit në Strugë dhe një sugjerim miqësor për “rojtarët e urës”

Struga vazhdon të na surprizojë me kreativitetin e saj urbanistik! Ja ku është përsëri në qendër të vëmendjes “Ura e famshme e Drurit”, e cila më shumë se urë për kalimtarë, është kthyer në një arenë të përhershme eksperimentesh me dërrasa.

Prej kohësh, qytetarët dhe turistët kanë fatin të përjetojnë emocionin e papritur, kur në vend të një shëtitjeje të qetë mbi ujërat e Drinit, i pret një dërrasë e thyer ose ndonjë vrimë artistike në mes të urës. Por mos u shqetësoni, sepse dikush gjithmonë del “shpëtimtar” — vijnë dhe i zëvendësojnë dërrasat. Problemi? Në vend që t’i zëvendësojnë me dërrasa të thata, të ziera, prej ahu ose gështenje siç është zakoni që një dërrasë të zgjasë, ato i zëvendësojnë me dërrasa të njoma, që në vapën e verës ose në të ftohtit e dimrit, thyhen si krekosjet e politikanëve para zgjedhjeve.

Kështu, çdo muaj, çdo javë, ndonjëherë edhe çdo ditë, kemi “suksesin e radhës”: një dërrasë e re, një dërrasë e thyer! Një cikël ekologjik që as vetë natyra nuk do ta kishte planifikuar më mirë.

Sugjerim miqësor për rojtarët e urës: herën tjetër, kur të vendosni dërrasa të reja, mos merrni dërrasa të njoma sikur jeni duke bërë ndonjë stallë për drithë. Merrni dërrasa të ziera, të pjekura mirë, mundësisht prej ahu apo gështenje, që të shpëtojmë nga “spektakli” i përhershëm dhe që turistët mos të kenë përshtypjen se kjo urë është pjesë e ndonjë “parku aventuresk me rrezikshmëri të lartë”.

Në fund të fundit, Struga meriton një urë, jo një kurth druri ku të shohësh më shumë kartona të improvizuar se sa dërrasa funksionale!

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button