PËR ZGJEDHJET E FUNDIT NË MAQEDONI DHE PAK HISTORI…

Rezultatet e faktorit politik shqiptar në zgjedhjet e 15 korrikut në Maqedoninë Veriore nuk duhet të krijojnë entuziazëm, eufori dhe krenari të rrejshme mes shqiptarëve, por të përjetohet si një hap i mirë dhe i dobishëm për rritjen e unitetit dhe besimit ndër qytetarët, se mund të ketë të ardhme ndryshe në këtë shtet.

Sidoqoftë, ky sukses i vogël që duhet të përdoret në mënyrë të dobishme, varet kryesisht nga drejtuesit e partive politike, të cilat jo gjithmonë sukseset i shndërrojnë në suksese edhe më të mëdha, duke i shndërruar fitoret në humbje përmes pazareve politike.

Meqë flasim për Maqedoninë dhe për shqiptarët, shpeshherë ku janë gërshetuar edhe fatet e mëdha të kombit shqiptar, ju përkujtojmë nga historia se, në verën e vitit 1912, qyteti i Shkupit, atëkohë kryeqyteti i shqiptarëve, u çlirua nga mijëra kryengritës shqiptarë, u ngrit flamuri dhe u shpall Pavarësia. Disa ditë vazhdoi festa dhe krisën pushkët anembanë për fitore e gëzime. Por kjo nuk zgjati më tepër se disa ditë.

Disa nga krerët udhëheqës të kryengritësve u joshën nga të huajit me shuma të mëdha të parave dhe florinj, që t’u ndihmojnë forcave të huaja ushtarake dhe të pushtetit ta bëjnë dorëzim-pranimin e pushtetit, mes atij të mëparshmit osman në duart e pushtetit të ardhshëm serb. Kështu përfundoi kjo histori me shuarjen e shpresave të shqiptarëve për një kohë të gjatë, për një shekull.

Kryengritësit e zhgënjyer, të tradhtuar dhe lënë në mëshirën e fatit, asnjë pushkë nuk e krisën gjatë ditëve në vazhdim kundër sunduesve të vjetër dhe as kundër okupatorëve të ri, duke u larguar në shtëpitë e veta kokulur e të dëshpëruar.StrugaLajm

Disa nga krerët e kryengritjes, që kishin bërë pazare të fshehta me të huajit, i mbushën xhepat e strajcat dhe ikën në botën e jashtme. Armët që kishin marrë nga të huajit sa për ta luftuar sunduesin e mëparshëm osman, jo edhe për ta çliruan atdheun e tyre, u mbetën pa municione, ndërkohë që masakrat filluan prapa shpinës së tyre gjithandej në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Kënga që u këndua më vonë është përrallë dhe folklor, jo histori dhe realitet i përjetuar nën bajonetat e përgjakura të çetnikëve serbë e rusë mbi shqiptarët, në vitet 1912/13 e më pastaj.

Fjala mort nuk bën. Urojmë që historia të mos na përsëritet! Kësaj radhe, fjalën e kanë drejtuesit e politikës; t’ua zbardhin fytyrën qytetarëve dhe votuesve të tyre, apo t’ia nxijnë jetën edhe të ardhmen këtij populli të vuajtur e të tradhtuar shpeshherë nga udhëheqësit e tij.

(17.VII.2020)

In : Aktuale

Loading...
loading...