Festa e përjavshme e myslimanëve, dita “e xhuma”, nuk ka shkuar aspak mirë sot në xhaminë e fshatit Bibaj të Ferizajt.
Zgjedhja e delegatëve të Bashkësisë Islame nga ky lokalitet ka shkuar deri në përleshje. Situata ka dalë nga kontrolli pasi emrat e kandidatëve nxitën përçarje brenda komunitetit të xhamisë. Aty janë shqyer edhe dokumentet e zgjedhjeve.
Pas kësaj, mbledhja e planifikuar ndryshe ka përfunduar.
“Sot kishim zgjedhjet e delegatëve të fshatit për Bashkësinë Islamë, në kuadër të zgjedhjeve Komunale në Ferizaj. Por hoxha i fshatit e pruni situatën që këtë ditë të xhuma të vije gati te përleshja. Gjatë kësaj tollovie u shqyen materialet dhe procesverbalet e këtij takimi” ka thënë një qytetar i cili ishte i pranishëm, shkruan gazeta Sinjali.
Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava në fillim të këtij viti ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të kuvendeve zgjedhore të delegatëve për zgjedhjen e anëtarëve në Këshillin e Bashkësisë Islame.